Portieri spanjoll David De Gea ka shtuar sot spekulimet në lidhje me transferimin e tij verën e ardhshme drejt Real Madrid. Mediat britanike bëjnë me dije sot se De Gea, 26 vjeç, ka nxjerrë në shitje vilën e tij luksese në Manchester, e cila kushton 4 milionë euro. Portieri erdhi te Manchester United në verën e vitit 2011, kur u transferua nga Atletico Madrid për në Premier League, por duket se pas 5 sezonesh në Angli, De Gea ka vendosur të rikthehet në vendlindje.
Pak kohë më parë, portieri pat deklaruar se nuk ka vendosur asgjë në lidhje me të ardhmen e tij, teksa ka luajtur mbi 200 ndeshje me Manchester United. “E ardhmja nuk dihet asnjëherë. Ajo mbetet një enigmë. Unë jam i lumtur tek UnIted, është një klub i madh dhe po shijoj futbollin në Premier League”, pat thënë De Gea për “As”, por duket se portieri e ka ndarë mendjen për t’u rikthyer në La Liga. Në verën e vitit 2011, transferimi tij nga Atletico te United ishte një nga më të shtrenjtët në histori për rolin e portierit.