TIRANË, 28 shkurt 2013- Vrasja e komisar Dritan Lamaj pak ditë në Tiranë dhe fotoja e krerëve më të lartë të Policisë së Shtetit me të akuzuarin kryesor për vrasje është kthyer në mollë sherri mes kryetares së Parlamentit Jozefina Topalli dhe deputetit socialist Taulant Balla.
Debati me fjalë fyese erdhi pasi Taulant Balla kërkoi nga foltorja e Kuvendit që parlamentarët të mbajnë 1 minutë heshtje për jetën e humbur të ish-shefit Dritan Lamaj i ekzekutuar të dielën në mbrëmje.
Debati
Balla: Ky parlament duhet ta niste punën me 2 min heshtje për një komisar të vrarë. Sot ky Kuvend nuk hyn dot në punime normale pa dhënë shpjegime Ministri i Brendshëm për foton
Topalli: Kërkoni të falur për atë komisar që nuk ke lënë gjë pa thënë. Ti mo zotëri nuk e di a vjen më në këtë parlament në zgjedhjet e ardhshme. Sado të shfrysh me mashtrime, por me ka mbet një gjë pa të thënë, se më ka mbet merak. Ti nuk ke lënë gjë pa thënë për Sali Berishën, ti je ai që nuk ke lënë pa bërë gjë me klientat e tu. Ti je i pagum me ata klientat që ia vesh Sali Berishës. kërko të falur për komisarin se nuk ke lënë gjë pa thënë kundër tij. Kërko të falur!
Balla flet por mikrofoni është i mbyllur
Balla: E latë pa mbrojtje, ti kërko të falur
Topalli: Unë përkulem përpara cdo polici që ka dhënë jetën për sigurinë e qetësinë. Ti nuk ke lënë gur pa hedhur e konferencë pa dalë kundra tij, kërko falje. Të të vijë turp, ku e con fytyrën ti, po ku ke fytyrë ti. E di si thonë në zonën tënde, po të ishe më i mirë do kishe turpëru dhe babën tënd. Po të luash me vdekjen, qofshi ju. Por jemi qenie njerëzore dhe keni dhembje. Nuk keni lënë gjë pa bërë kundër tij,
Balla flet pa mikrofon
Topalli: Je jashtë teme. Nëse do flasësh jashtë teme ulu, nëse doni të flisni për temën flisni. Jashtë rendit të ditës mund të flisni, keni të drejtën tuaj.
Balla: Mirë unë po e shkelkam rregulloren po ti me cfarë rregullore ke të drejtë të më presësh fjalën…Po pusho moj pusho. Unë nuk jam hipokrit, unë nuk mund të sillem dhe të komportohem me këtë sjelle të parlamentit sot, pikë së pari të kërkova ty, që të nisim kuvendin për 1 minutë heshtje për komisarin e vrarë.
Topalli: Respekto rregulloren fol për cështjen e ditës
Balla: Ky parlament nuk mund të hyjë në punime normale pa dhënë shpjegime për policinë….
Topalli: Epo nuk mundem të të lë të vazhdosh, do zbatoj rregulloren. Fol për cështje të strategjisë mjedisore nëse do fol…
Balla: Ok në rregull, do flas për mjedisin nëse do për mjedisin. Mjedisi, meqë do mjedisin është i ndotur nga 4 këta barkderra, nga ky ministër që duhet të sqarojë lidhjet me bodiguarin në krye të shtetit. Mjedisi është i ndotur nga sjellja vulgare nga ky parlament.
Topalli: Pyete shokun tat me të cilin ti bën tregti, se e ke aty.
Balla: Ky parlament është i ndotur se kemi këtë grua në krye këtu.
Topalli: Më i ndotur se prej teje këtu nji tash mor djalë nuk ka parlament. Do jem e lumtur se në parlamentin e ardhshëm nuk do jesh ti këtu.