TIRANË, 2 dhjetor 2013 –Ndihma ekonomike që përfitojnë paraplegjikët, tetraplegjikët do të bëhet e mundur të ndahet brenda muajit dhjetor, kurse në janar e sigurt që do e tërheqin të gjithë dhe shumën e munguar. Kjo ka qenë garancia nga ministria e Mirëqqnies dhe Punës Sociale për invalidët që presin të marrin paratë prej muajit shtator të këtij viti. 
Ndihma ekonomike ka qenë temë e emisionit ‘Njerëz në Fokus’, në TvNews 24.

“Të paaftë për ndihmë, të privuar nga ndihma…”, nisi siparin emisioni ku të ftuar ishin kryetarja e shoqatës së para dhe tetraplegjikëve, Hybere Prizreni, Nënkryetari i këshillit për Persona me Aftësi të Kufizuar, (PAK), dhe kryetar i shoqatës së kombëtare të Invalidëve të Punës, Abdulla Omuri ndërsa nga pala e ministrisë, zv/ministrja e Mirëqënies dhe Punës Sociale, Bardhylka Kospiri. 

Sipas Prizrenit dhe Omurit, shteti mund të realizonte mbledhje parash duke mos shpërblyer administratën shtetërore, por duke u mbajtur lekë nga pagat administratës dhe deputetëve, të mund të realizohej dhënie e ndihmës ekonomike për këto shtresa në nevojë.

“Sikur qeveria t’u mbante 20% të pagës administratës dhe do kishte mbuluar pjesën e aftësisë së kufizuar, do kishte zgjidhur këtë ngërc të krijuar. Une mendoj që kjo që po ndodh me personat me aftësi të kufizuar është e padrejtë. Ata ndihmën ekonomike e kanë bukë goje, dhe nëse u pritet kjo, u pritet buka e gojës”, tha Prizreni.

“Prej shtatorit nuk është marrë më asnjë lek. Muaji tetor e nëntor nuk u dha. U vendosën shpërblime për administratën dhe nuk vendosi asnjë lek në arkë për shtresat në nevojë. Me fonde të trashëguara dhe fonde që burojnë nga rrjedhja e ligjit nuk duhet abuzuar”, tha Omuri.

“Nuk arrij dot ta besoj sesi ka mundësi të vihet dorë tek paratë e njerëzve në nevojë. Unë një ditë e kam pasur tej mase të vështirë kur një grua më solli vajzën e saj invalide në zyrë dhe më tha, ‘më ndihmo, nuk kam mese ta ushqej’. Dhe paska qenë kjo ministri që paska shpërdoruar para për festën e 1 Majit, miliona për të blerë fishekzjarre që nuk u plasën kurrë”, tha më tej Omuri.

“E mirëkuptojmë qeverinë aktuale, kur thotë që nuk ka para, por nuk dua të besoj që ndihma për paaftësinë e kufizuar të jetë lojë e politikës”, shton Prizreni.

Nga ana e saj, zv/ministrja Bardhylka Kospiri garantoi se në Janar do të bëhet ndarja e lekëve por ministria që ajo përfaqëson po bën cfarë është e mundur që kjo të bëhet e mundur që në muajin dhjetor. 
“Është e dhimbshme ku sheh situata të tilla dhe njerëz të tillë, dhe ata që kanë cuar në përgjegjësi të tilla duhet të mbajnë përgjegjësi sepse nuk jemi ne që e kemi cuar në këtë nivel arkën. Në janar lekët e sigurt, po përpiqemi ti marrim që në dhjetor. Të parët do të jenë invalidët e punës, do e marrin të gjithë. Menduam që ti jepet edhe pjesës së tetraplegjikëve, ka familje që kanë me dy të tillë dhe kjo është shumë e rëndë”. 

Kospiri nga ana e saj shtoi se në cdo debat për buxhetin, ministria do të ftojë dhe palët e interesuara sic janë dhe shoqatat për invalidët, paraplegjikët dhe tetraplegjikët.