Tiranë, 1 shtator – Debate të forta janë zhvilluar në mbledhjen e grupit parlamentar të PD sot në mesditë, pak orë para se të nisë seanca e parë e parlamentit për këtë sesion të ri parlamentar.
Sipas BalkanWeb, burime brenda PD-së konfirmojnë se shumë deputetë dolën hapur kundër bojkotit të Kuvendit, ndërsa pro tij u shpreh kreu i partisë, Lulzim Basha dhe e miratuan një pjesë tjetër deputetësh.
Kundër bojkotit janë shprehur deputetët Mesila Doda, Majlinda Bregu, Dashamir Shehi, Igli Cara madje më i zjarrti ndër deklarata ka qenë Roland Keta. Aleati Fatmir Mediu kërkoi të dijë sa do të zgjasë bojkoti. Ja një pjesë nga debatet sot.
Dashamir Shehi: Dhuna nuk është argument për bojkot
Roland Keta: Nëse ndodh që të na dhunojnë sërish fizikisht, burra jemi ne, burra janë dhe ata, përballemi. Parlamenti është tribuna e opozitës.
Paloka ndërhyn: Nuk shkojmë atje, do krijojmë grupet tona të punës.
Mesila Doda: Me këtë që bëjmë, bëjmë atë që bënte Rama dikur dhe ne e akuzonim për krijim të institucioneve paralele.
Dashamir Shehi: Nuk na dëgjon njeri po nuk folëm nga parlamenti
Fatmir Mediu: Unë dua të di një afat deri kur do vijojë ky bojkot
Mesila Doda: Vendimi t'u njoftua para fillimit të mbledhjes. Do ishte mirë të merrej njëherë vendimi, pastaj të komunikohej
Ndërkohë kreu i PD dhe opozitës, Lulzim Basha deklaroi sot zyrtarisht se vendimi i opozitës për të mos marrë pjesë në seancat parlamentare do të qëndrojë në fuqi. Ai theksoi se opozita nuk mund të shkojë në një Kuvend ku nuk dëgjohet.





