11 nëntor 2015 – Ashtu siç është përfolur dhe në media, dorëheqja e Naços ka qenë një lëvizje e mirëmenduar dhe e koordinuar nga kryetari i Kuvendit Ilir Meta. Ky i fundit i ka kërkuar Kryeministrit Rama që të largojë nga kabineti ministrat  e akuzuar për korrupsion nga media dhe nga opozita.

Kështu shkruan sot gazeta “Panorama”, e cila sipas disa burimeve të saj brenda maxhorancës, thotë se kreu i Kuvendit i ka thënë Ramës se maxhoranca nuk ka pse të marrë përsipër koston personale të disa ministrave që janë përfolur për afera korruptive. Por, Rama ka këmbëngulur që mos të bëjë ndryshime në qeveri dhe kjo ka bërë që Meta të nisë me dorëheqjet e ministrave të tij.

Nëse shefi i qeverisë nuk do të reagojë sërish pas dorëheqjes së Naços, LSI do të vijojë me të tjera dorëheqje nga radhët e ministrave. I gjithë ky proces ndaj kryeministrit për të larguar ministrat e përfolur për afera korruptive do të zhvillohet kur në Kuvend do të jetë duke u diskutuar paketa e dekriminalizimit dhe reforma në Drejtësi.

/portali DurresLajm/