Tiranë, 7 maj 2014 – Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Mark Marku është konfliktuar dje në mbrëmje në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, me kryetarin e Partisë Demokracia Sociale, historianin Paskal Milo, për nderimet me grusht të e 5 majit.

Konflikti mes dy profesorëve ka nisur për fotografinë e publikuar në rrejtet sociale, në të cilat fëmijët e një shkolle 9-vjeçare nderonin në Varrezat e Dëshmorëve në Përmet me grushtin lart si në kohën e diktaturës dhe për përkuljen e ministrit të Drejtësisë Nasip Naço para portretit të Enver Hoxhës.

Profesor Mark Marku e ka cilësuar si kriminale çfarë ka ndodhur. Po ashtu, ai e ka quajtur si të tupshëm nderimin që ministri i Drejtësisë i ka bërë portretit të diktatorit. Por, për kreun e PDS-së, Milo nuk ka asnjë të keqe që fëmijët të nderojnë me grushtin lart, po ashtu ai e ka justifikuar dhe gjestin e ministrit, si nga “pakujdesia” (ne fotot poshte ministri Nasip Naço dhe deputeti Pandeli Majko duke nderuar me grushtin lart).

Përplasja mes Markut dhe Milos ka arritur derisa kreu i PSD-së ka braktisur emisionin në shenjë revolte pasi Marku e ka quajtur “kriminel”.

“Kjo është një ngjarje e turpshme. Ngjarje kriminale. Edhe ti je kriminel, nëse mbron atë ngjarje”, tha Marku. “Unë jam kriminel”, iu përgjigj Milo dhe në shenjë proteste u largua nga emisioni edhe pse gazetari Fevziu ka tentuar ta ndalojë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/