Kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, njëkohësisht mbajtësi i 4200 firmave të delegateve për mbledhjen e Kuvendit të PD-së, ka propozuar një zgjedhje që mund t`i jap fund debateve për verikimin e firmave.
Paloka ka propozuar që dy palët brenda PD të zgjedhin nga një përfaqësues dhe të bëjnë verifikimin e 4200 firmave për të thirrur Kuvendin Kombëtar.
Ai u shpreh se këtë e ka folur me të dyja palët, pra njerëzit pro Bashës dhe ata pro Berishës dhe do e shtrojë dhe sot si propozim në mbledhjen e Kryesisë.
Sot, anëtarët e Kryesisë së PD pritet të marrin vendimin nëse firmat janë legjitime apo jo.
“Unë meqë gjendëm në këtë pozicion mes palëve i kam propozuar palëve një zgjidhje që të ishte shteruese. Statuti nuk parashikon asnjë procedurë dhe palët nuk kanë besim të njeri-tjetri. Të dyja palët të caktonin nga një person, që mund të ishte Ivi Kaso, dhe për palën tjetër mund të ishte Ervin Minarolli. Mund të ketë edhe të tjerë. Ta çojmë procesin përpara. Kush të dojë të vijë në zyrën time dhe të bëjmë verifikime, me telefon dhe pa telefon si të duan. Ta zgjidhim këtë problem dhe të mos vijojmë kështu. Nëse palët nuk e pranojnë zgjidhjen atëherë i bie që nuk e duan zgjidhjen”, tha Paloka.





