Debati për fjalorin e gjuhës shqipe u zhvendos në Komisionin e Kulturës, ndonëse munguan përfaqësuesit e Akademisë së Shkencave, të cilët ishin ftuar për të dhënë sqarime mbi shqetësimet publike për përmbajtjen e fjalorit.
“Fjalori i gjuhës shqipe është të vësh duart në kokë, dhe të mos vijë të japë shpjegime. Pse? Sepse e dinë që e kanë qelbur, se nuk po sajojnë dot materiale për të justifikuar ato miliona që kanë marrë nga Kuvendi”, tha deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa.
Mazhoranca kërkoi që hartuesve të fjalorit t’u jepej një mundësi e dytë për t’u paraqitur në seancën dëgjimore.
“Nuk dua të paragjykoj punën e Akademisë së Shkencave. Prandaj unë mendoj që ajo që mund të bëjmë aktualisht është të ftojmë edhe njëherë përfaqësuesit e Akademisë së Shkencave”, u shpreh deputeti i Partisë Socialiste, Erion Malaj.
Opozita mendon se buxheti për fjalorin ka shkuar në institucionin e gabuar dhe bëri thirrje për bllokimin e fondeve.
“Ato fonde që përdoren për qoka, pa asnjë ndikim kombëtar të kësaj Akademie për çështje albanologjike të Shqipërisë, duhet t’u shpërndaheshin fakulteteve dhe qendrave kërkimore që të bënin një punë shumë herë më të mirë”, tha deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj.
“Nuk e tolerojmë dhe ne do të marrim çdo masë, duke vënë në lëvizje edhe qeverinë, nëse është e nevojshme, për të bllokuar më pas fondet e Akademisë së Shkencave, në momentin që ne jemi përballë faktit që bëjnë një paçavure dhe nuk japin as llogari”, tha deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa.
Ndërkohë që çështja kaloi më pas në diskutim politik për hetimin e Belinda Ballukut.





