Për deputeten socialiste, Olta Xhaçka, deklaratat në Komisionin e Sigurisë për grabitjen me armë në aeroportin e Rinasit janë të papërgjegjshme sa kohë çështja është nën hetim.
Xhaçka ndan qëndrim të ndryshëm edhe me kolegun nga LSI-a, Luan Rama.
“Papërgjegjshmëria qëndron në faktin që të avancosh akuza në një moment kur kemi një hetim dhe kur përgjegjësitë të paktën në këtë moment të parë duken qartë ku janë, por prapë është më e përgjegjshme të presim konkluzionet e hetimit. Kjo është pjesa kur unë nuk bie dakord me përfaqësuesit e aleatit, në sensin që duhet të presim për hetimin. Ama të ftosh ministrin në komision dhe të thuash është e paprecedentë, nuk shoh që të jetë një përplasje e jashtëzakonshme apo rreshtim me opozitën”, u shpreh Xhaçka.
Në një prononcim për “Ora News” Xhaçka foli edhe për Reformën në drejtësi, sipas së cilës, opozita po përdor pretekste për të zvarritur procesin ndërsa theksoi se dështimi do ishte humbje e madhe për vendin.





