Presidenti Ilir Meta është përfshirë në debatin e hapur së fundmi për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Në një intervistë për një të përditshme, kreu i shtetit është shprehur kundër ndryshimit të kufijve, duke theksuar se dialogu mes dy vendeve nuk duhet të ndryshojë realitetin e sotëm, por të njihet pavarësia e Kosovës nga Serbia.

“Dialogu Serbi-Kosovë është ndërtuar jo për të ndryshuar realitetin, por për të udhëhequr procesin e pranimit të tij, në emër të paqes e stabilitetit. Ai është parakusht për integrimin evropian të të dy vendeve. Çdo diskutim dhe debat që ndihmon në kuptimin dhe pranimin e këtij realiteti është i mirëpritur. Çdo devijim nga ky realitet, përveçse provokon emocione dhe retorika populiste nuk sjell dobi”, thotë Presidenti Ilir Meta.

Kreu i shtetit shqiptar kujton historinë se çfarë ndodh kur ndryshohen kufijtë. Sipas tij, kjo gjë sjell zhvillime negative dhe asnjëherë stabilitet.

Presidenti thekson gjithashtu se Kosova është një nga investimet më të mëdha amerikane dhe të BE-së gjatë 20 viteve të fundit.

“Ballkani ka pësuar transformime të thella në dy dekadat e fundit në të cilat janë investuar seriozisht SHBA dhe BE-ja. Një nga investimet më të mëdha dhe të suksesshme ka qenë Pavarësia e Kosovës dhe në vijimësi vendosja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në dobi të normalizimit të marrëdhënieve dhe të stabilitetit, paqes dhe sigurisë afatgjate në rajon. E kaluara historike e Ballkanit është fatkeqësisht e lidhur me ndryshime kufijsh, spastrim etnik dhe shpërngulje të dhunshme të popullsive të cilat janë shoqëruar me probleme të mëdha, armiqësi, luftëra e urrejtje”, deklaron Presidenti Ilir Meta.