Nga Dr. Bledar Kurti 

Në këtë ditë, më 26 shtator 1960, u zhvillua i pari debat presidencial televiziv midis kandidatëve për president të SHBA, John F. Kennedy dhe Richard M. Nixon. Ky ishte një moment historik që do e ndryshonte përgjithmonë politikën e rrjedhimisht edhe shoqërinë e çdo vendi të botës pasi nisi të institucionalizohet pushteti i katërt: Media. Pushteti që ditët e sotme të ngre në drejtim apo të rrëzon e të djeg përfundimisht.

Në fushatën presidenciale të vitit 1960, Kennedy (demokrat) kandidonte për postin e Presidentit kundër Zv/Presidentit të kohës Richard Nixon (republikan). Kennedy ishte i ri, 43 vjeç, por edhe Nixon kishte moshë të re, 47 vjeç, ai ishte edhe veteran lufte, politikan me përvojë, megjithatë për shkak të këtij debati televiziv Kennedy arriti fitoren më të ngushtë në historinë e zgjedhjeve presidenciale Amerikane. Debati televiziv midis dy kandidatëve, i pari i këtij lloji, u fitua nga Kennedy, i cili, i veshur me kostum të zi dhe i kuruar, dallonte prej kundërshtarit të tij. Ai dukej i qetë dhe në kontroll.  Nixon refuzoi të bënte grimin, ai dukej i tensionuar dhe kostumi i tij gri nuk dallonte nga sfondi, Zv/President prej tetë vitesh, Nixon dukej më pak presidencial sesa Kennedy. Këtu u themelua “Rëndësia e imazhit” e cila u vërtetua kur sondazhet treguan se ata që e kishin ndjekur debatin Kennedy-Nixon në televizon (80-120 milionë shikues) shpallën Kennedy-n fitues ndërsa ata që e kishin ndjekur në radio (pra pa parë imazhin por duke dëgjuar argumentat) vlerësuan Nixon.  

Falë imazhit Kennedy u bë President dhe drejtimi i tij tashmë mbetet historik, por kjo ishte pikënisja e ndikimit të jashtëzakonshëm të televizionit në ngjitjen apo rrëzimin e figurave të politikës. Ky mjet u përdor fuqimisht edhe nga Bill Clinton në garën e tij për në Shtëpinë Bardhë në vitin 1992 e sërish në vitin 1996. Clinton e modernizoi strategiinë e përdorimit të medias. Nëse Kennedy përdori televizionin kombëtar, Clinton përdori edhe televizionet lokale duke e përdorur imazhin e tij edhe në zonat më të largëta nga metropoli. Përmes kanaleve lokale kabllore përçoi mesazhin e tij në çdo shtëpi. 

Fundi i viteve 1990-të shënoi fillimin e një epoke të re të komunikimit. Epoka e internetit, të cilën, në kulmin e saj, Barack Obama e shfrytëzoi maksimalisht dhe fitoi dy mandate. 

Sot, janë rrjetet sociale ato që diktojnë apo përcaktojnë opinionin publik. Përmes tyre një figurë politike apo një parti e përçon mesazhin te votuesi kudo që ai apo ajo të ndodhet. Mjafton që votuesi të ketë një aparat celular në dorë dhe politika arrin lehtësisht te ai apo ajo. Kjo është arsyeja pse debati i vetëm dhe i fundit televiziv në Shqipëri u zhvillua në vitin 2002 midis Fatos Nanos dhe Sali Berishës. Në atë kohë rrjetet sociale nuk kishin forcën vendimtare që kanë sot, ndaj edhe Edi Rama nuk e ka përdorur kurrë si strategji përballjen e debatit televiziv pasi 1) ngre automatikisht kundërshtarin në të njëjtin nivel me veten 2) i ofron edhe kundërshtarit të njëjtën audiencë 3) duke qenë superiror në strategjinë e komunikimit përmes rrjeteve sociale nuk ka pse i shton vetes as edhe rrezikun më të vogël të devijimit të bisedës apo mendimit 4) kategoria që përdor më shumë rrjetet sociale dhe shtresa më aktive dhe decisive e votuesve është rinia, pasi prindërit dhe gjyshërit votojnë tradicionalisht e rrallëherë votojnë në kahun tjetër politik të bindjeve të tyre të rrënjosura. Rinia është më fluide dhe më e gatshme për ndryshim. Kush fiton rininë fiton çdo betejë politike. 5) rrjetet sociale e përhapin mesazhin në të gjitha kanalet e komunikimit, në kohë rekord, e pa tjetësim, madje duke përfshirë edhe individë të zakonshmën përveçse njësitë mediatike. I vetëdijshëm për këto avantazhe Rama e ka forcuar këtë lloj strategjie, e teksa ai hap e krijon vazhdimisht kanale inovative komunikimi, si në rastin e Podkastit të tij, opozita vazhdon e kërkon debate televizive si ajo e vitit 2002 sepse vetëm atë lloj komunikimi njohin, e që në fakt nuk kanë për ta arritur kurrë.

Por, duke iu rikthyer debatit Kennedy vs Nixon, nëse në mesin e shekullit të 20-të media u konsilidua si pushteti i katërt, sot, mediat sociale kanë arritur të shndërrohen në pushtetin e parë. Që prej tre vitesh, gjigandët e komunikimit, Google, Facebook, Instagram, Twitter, etj, kanë bllokuar disa herë mesazhet e figurave më të larta botërore të politikës, shkencës, kulturës, etj. Dhe askush nuk mund t’i kundërvihet një pushteti të tillë suprem. Tashmë është fakt që në krye del gjithmonë ai kandidat që favorizohet nga platformat e komunikimit. Cilido që del kundër tyre do humbasë e zor se do rimëkëmbet. Sepse betejat e sotme politike zhvillohen me algoritme e jo me diskutime e kuvendime idesh. 

Sot, pas 63 viteve që nga debati televiziv Kennedy vs Nixon, strategjitë e marrëdhënieve me publikun kanë evoluar në formë, përmbajtje dhe shpejtësi. Ato kanë arritur një dinamikë aq të shpejtë sa që cilido që aspiron  të afirmohet politikisht duhet të jetë pjesë e këtij rrjeti energjik të komunikimit përndryshe do jetë gjithmonë humbës. Në epokën e sotme Lincoln-i, Churchill-i, Kennedy, Mandela, e figura të tjera të ndritura botërore do i humbisnin zgjedhjet përballë një individi që s’ka luftuar kurrë, që s’ka punuar kurrë, e që s’ka dhënë asnjë kontribut për vendin dhe shoqërinë, por që në vend të Acta non verba – Vepra jo fjalë – zotëron Verba non Acta – Fjalë e jo vepra, të cilat i shpërndan përmes rrjeteve sociale në çdo sy e vesh pranë një celulari.