“Të ndërpriten punimet tërësisht deri në një vendim nga arkeologët në sheshin ‘Veliera’, për të mos çuar dëm investimin, por për t’u dhënë përgjigje edhe dilemave mbi nëntokën në këtë zonë”, -ishte kjo një prej kërkesave të paraqitura nga Gjergj Bojaxhi, në debatin e hapur të Vangjush Dakos me grupet e interesuara dhe shoqërinë civile.
Shoqëria civile ka akuzuar si përgjegjës të drejtpërdrejtë në komentet e bëra gjatë dëgjesës publike, kreun e Bashkisë së Durrësit, për shkelje të ligjit mbi mbrojtjen e zonave të përcaktuara si zonë arkologjike.

“Dako ka shmangur kufirin ndarës midis zonave arkeologjike A dhe B, ka ndryshuar zonat, në të cilat shprehet qartësisht se ku ndalohet rreptësisht ndërhyrja, ku lejohet si dhe me çfarë kriteresh lejohet. Me hartat e miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave njëzëri, shoqëria civile, por edhe përfaqësues të PD së Durrësit, kanë akuzuar kreun e bashkisë se nuk ka respektuar ligjin për mbrojtjen e trashëgimisë arkeologjike, duke ndërhyrë me beton dhe hekur në zonën A, ku ndalohet rreptësisht ndërtimi.

Mirela Jorgo juriste, Gjergj Bojaxhi nga shoqata për mbrojtjen e pasurisë arkeologjike, Lorisa Ylli etj, deklaruan se për rivitalizmin e sheshit “Veliera” janë shkelur të gjitha ligjet e vendit për mbrojtjen e pasurisë arkeologjike, duke u hedhur pilota prej hekuri dhe betoni, në një zonë e cila konsiderohet si nëntoka e “florinjtë” e Durrësit, ndërkohë që edhe muri i kalasë së qytetit është varrosur poshtë çakullit.
Por Kreu i bashkisë Vangjush Dako, u shpreh kategorikisht kundër ndërprerjes së punimeve në sheshin” Veliera”. Dako hodhi poshtë akuzat e ngritura duke thënë se monitorimi është bërë nga arkeologët e Agjensisë Kombëtare të Arkelogjiisë dhe Instituti i Arkeologjisë, duke mos lënë asnjë mundësi abuzimi me pasurinë arkeologjike.
K.H.