14 shkurt 2015 – Brenda kësaj jave Kuestura e Bolxanos, qytetit gjermanofon në Itali, ka dëbuar shqiptarin e tretë. Pas dëbimit të Blerim Lleshit dhe Edison Liçës, u dëbua edhe Vilson Vata, 22 vjeç. Vilsoni u dëbua, sepse me sa duket e kishte mbushur kupën për kuesturën italiane.
Ai që në vitin 2008, në moshën 15 vjeçare e kishte filluar karrierën kriminale me një vjedhje në lokalin Naturno. Më pas, Vata ishte “specializuar”, në sherre, rrahje, plagosje, kanosje dhe sidomos grabitje me dhunë. Ai shpeshherë bënte sherre dhe plagoste persona të ndryshëm në lokale nate apo hotele luksoze, si në rastin e Hotelit Sheraton.
Në 13 qershor 2014, ai së bashku me 3 shqiptarë të tjerë rrahu e plagosi një të ri nga Bolxano. Në 30 janar 2015, ndërsa karabinierët po i vinin prangat, ai u përlesh me ta, duke plagosur lehtë një karabinier. Këtë të premte, Vata u dëbua nga Italia për në Tiranë, nëpërmjet Aeroportit të Veronës.
/gj.th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





