66 fluturime të brendshme dhe ndërkombëtare pësuan vonesa në aeroportin “Ataturk” në Stamboll, për shkak të reshjeve të dendura të dëborës që e zbardhën krejtësisht qytetin më të madh të Turqisë.
Bora dhe erërat e forta bënë që të anulohen edhe disa udhëtime me traget. Pas paralajmërimeve të shërbimit meteorologjik shtetëror turk për kushte të ashpra atmosferike, në rrugët e qytetit është hedhur kripë, për të shmangur krijimin e akullit.
Temperaturat gjatë fundjavës ranë 8 deri në 10 gradë Celsius në provincat veriperëndimore të Turqisë.
Erërat e fuqishme dhe reshjet e dendura të dëborës janë bërë gjithashtu shkas për rrëzimin e disa pemëve në Stamboll, ndërsa rrugët që çojnë në gati 27 fshatra të vogla të provincës Kırklareli, janë bllokuar.





