Tiranë, 16 prill 2014 – Banorët e Dibrës, Pukës dhe Korçës janë zgjuar mëngjesin e sotëm ‘të mbuluar’ nga bora. Edhe pse jemi në stinën e pranverës, reshjet e dëborës kanë zbardhur gjithçka duke ulur në mënyrë të ndjeshme temperaturat. Në qytetin e Peshkopisë trashësia e dëborës arrin 30 cm, ndërsa në zonat e thella të Dibrës shkon edhe deri në 40 cm. Reshje të dendura dëbore janë regjistruar edhe në Qarkun e Korçës, në zonat rurale dhe ato urbane. Reshjet e dendura të rëna gjatë natës kanë shkaktuar probleme në disa zona, ku është ndërprerë energjia elektrike. 

Si pasojë e reshjeve ka pasur probleme edhe me qarkullimin rrugor në disa zona të Dibrës. Drejtoria e Rrugëve dhe Policia Rrugore kanë marrë masa ndërkaq për zhbllokimin e akseve rrugore. Reshje të dendura bore vijojnë të bien edhe në Qafë Mali të Pukës, ndërsa në akset Fushë Arrëz- Kukës, Mali- Fierzë ka vështirësi në qarkulli. I pamundur qarkullimi është në aksin rrugor Bardhet-Iballë. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/