KUKES – Temperaturat në të gjithë ranonin veri-lindor vijojnë të bien ç'ka ka bërë që vlera e tyre të mbetet negative, nga minus 10 minimalja e minus 2 maksimalja, duke ndikuar negativisht në jetën e banorëve, më së shumti tek ata që janë të izoluar prej më shumë se 1 jave.
Reshjet e dëborës, që variojnë nga 35 centimetër deri në 1.4 metër në Valbonë të Tropojës, tashmë janë kthyer në akull që nuk mund të pastrohet edhe nga borëpastrueset. Sipas informacioneve të marra nga shtabi i emergjencave civile bëhet e ditur se tashmë në të gjitha shkollat e rrethit të Hasit është pezulluar tërësisht procesi mësimor ndërkohë që në rrethin e Tropojës,godinat arsimore janë hapur vetëm në qytetin e Bajram Currit.
Ndërkohë që në rrethin e Kukësit, procesi mësimor edukativ është ndërprerë në të gjitha shkollat e mesme të bashkuara,në Bushtricë, Malzi, Topojan, Shishtavec, Kalimash, Zapod ndërsa në shkollat e tjera 9-vjecare të komunave mësimi bëhet me orar të reduktuar. Kjo ka ardhur për shkak se nxënësit nuk mund të lëvizin nga zona në zonë,edhe pse godinat arsimore kanë dru zjarri,të depozituara nga njësitë përkatëse vendore.
Energjia elektrike mungon tërësisht në komunat Bujan, Surroj, Grykë-Cajë, Golaj etj ndërkohë që ndërprerjet janë të vazhdueshme në të gjithë qarkun. Akset rrugore, sakaq, vijojnë të paraqesin mjaft probleme kryesisht ato Kukës-Bushtricë,Kukës-Qafë Shllak, Kukës-Krumë-Qafë Prush, Kukës-Shishtavec, Qafë Morinë-Bajram Curri. Edhe jatë ditës së sotme,të izoluara tërësisht në Kukës, Has e Tropojë rezultojnë të jenë komunat Zapod,Kalis, Grykë çajë, Arrën,Lekbibaj, Bytyc, Topojan, Shishtavec, Margegaj si dhe dhjetra fshatra të komunave të tjera të thella.