Nga dëbora e madhe që ka rënë, autoritetet janë detyruar t’i mbyllin aeroportet dhe shkollat në Teheran të Iranit, ndërsa qindra vetura janë bllokuar në autostradat e kryeqytetit për disa orë.
Aeroporti ndërkombëtar, Imam Khomeini dhe ai Mehrabad, janë mbyllur për shkak të dukshmërisë së vogël “deri në njoftimin e ardhshëm”, ka raportuar sot televizioni shtetëror iranian.
Në disa rajone të Iranit, përfshirë Teheranin, janë mbyllur shkollat, ndërsa qindra ekipe të Gjysmëhënës së Kuqe janë mobilizuar për t’i ndihmuar automobilistët e bllokuar nëpër rrugët me borë.
Agjencia zyrtare e lajmeve IRNA ka cituar një përfaqësues të Gjysmëhënës së Kuqe që ka thënë se 6,600 njerëz janë vendosur në strehime emergjente.
Ushtria, po ashtu, është shprehur e gatshme për të ndihmuar./REL/