Mesfushori i Teutës, Roni Gashi, ishte një nga surprizat e bukura të durrsakëve në sezonin e fundit. Lojtari i Kombëtares U21 të Kosovës, ka treguar ambiciet e klubit, dëshirën për të ecur në Kupat e Europës dhe emocionet e sezonit.

Si do ta konsideronit këtë sezon me Teutën?

Mendoj se kemi zhvilluar një kampionat të bukur. Sigurisht që kemi bërë edhe gabime gjatë rrugës, të cilat na penalizuan në arritjen e objektivit madhor. Është pikërisht titulli kampion i munguar pengu ynë, por rëndësi ka që arritëm të ishim pjesë e Europës.

Cilat ishin mbresat më të veçanta të sezonit që sapo u mbyll për ju?

Klubi ka qenë si gjithnjë pranë nesh. Na kanë mbështetur gjatë gjithë kohës, në çdo ndeshje, duke u bërë pjesë e pandarë e skuadrës në çdo moment. Kanë qenë shtysa jonë për të dhënë maksimumin, ndaj mendoj se fakti që Teuta rivalizoi deri në fund dhe me ekipet e kreut për titullin kampion dhe arriti më pas Kupat e Europës është edhe meritë e drejtuesve tanë. Mbresa të tjera? Sigurisht ndeshjet ndaj Partizanit në Durrës ku dhe unë shënova. Ajo ishte një ndeshje kartolinë për sezonin që sapo u mbyll.

Jeni i kënaqur me atë që keni bërë me fanellën e durrsakëve?

Të them të drejtën, ndihem shumë mirë. Erdha në një ekip cilësor dhe normalisht e dija se do të ishte e vështirë të luaje për formacionin që në fillim. Megjithatë, jam munduar të jap më të mirën dhe të bëj maksimumin. Rivaliteti është shumë i madh, por në fund të fundit është një garanci më shumë për trajnerin që kthen kokën nga stoli dhe sheh se ka një pankinë plot me lojtarë cilësorë.

E kishit menduar që kampionati të ishte kaq i fortë?

Sigurisht që po! Isha i bindur që vija në ekipin më të mirë në Shqipëri, jo vetëm tani që kam një vit këtu, por edhe kur isha pjesë e Lirisë së Prizrenit më herët. E shihja se Teuta ishte një ekip që ka bërë me të vërtetë gjithçka mirë në këto vite. Them se kam bërë zgjedhjen e duhur. Këtu ndihem mirë dhe kam mbështetjen e tifozëve.

Për sa i përket objektivit të momentit, çfarë prisni?

Si fillim duhet të njohim kundërshtarin që do kemi përballë në Europë. I kemi mundësitë të kalojmë ture. Çdo lojtar që është pjesë e Teutës, apo edhe ai që pretendon të veshë këtë fanellë, është në dijeni se në këtë klub kërkohet gjithnjë maksimumi.

Nga aktivizimi tek Teuta kapët edhe Kombëtaren U21 të Kosovës…?

Synimi imë është të përligj besimin e trajnerit dhe të bëj maksimumin në fushë për të ndihmuar kombëtaren të arrijë të bëjë paraqitje sa më pozitive.