Tiranë, 13 shtator 2014 – Ministria e Financave propozoi dje krijimin e kadastrës fiskale, ndryshimin e taksës për pasurinë si dhe vendosjen e taksës së truallit si të ardhura që do të ndihmojnë bashkitë e reja për të realizuar decentralizimin fiskal.
Sipas Financave, ligji i decentralizimit do të përfundojë deri në muajin dhjetor të këtij viti. Pas miratimit të reformës territoriale administrative, qeveria ka nisur nga puna për ligjin e decentralizimit.
Në një tryezë të përbashkët mes ministrit për Pushtetin Vendor, Bledi Çuçi, ministrit të Financave Shkëlqim Cani dhe përfaqësuesve të USAID- it në Tiranë, u diskutua për rrugën në të cilët do të realizohet decentralizimi fiskal, raporton “Panorama”.
Burimet financiare të pushtetit të ri vendor do të sigurohen, sipas Ministrisë së Financave, përmes taksave vendore, tarifave vendore, të ardhurave nga aktiviteti ekonomik, transfertat qeveritare, huamarrja. Financat e shohin taksën mbi pasurinë si burimi kryesor potencial i taksave vendore në vitet që do të vijnë, do t’i nënshtrohet një reforme të thellë.
Ministria propozon ndryshimin e bazës së taksës nga taksë për sipërfaqe, në taksë me vlerë pasurie, që do të thotë se një pronë do të vlerësohet me vlerën e tregut dhe jo e barabartë për të gjitha zonat. Propozohet që të ketë eficiencë në mbledhjen e këtyre taksave përmes modernizimit të administrimit të saj.
Me këto masa, propozohet që në një periudhë afatmesme parashikohet që të ardhurat do të dyfishohen, ndërkohë që në periudhën afatgjatë ato të arrijnë potencialin e tyre. Ministria e Financave, në propozimet e saj, të cilat pritet që të kthehen në një projektligj, kërkon vendosjen e taksës mbi truallin.
“Vendosja e taksës mbi truallin është një tjetër burim financimi, do krijohet në varësi të një studimi për tregun e apartamenteve të banimit dhe efektet e kësaj takse në rritjen e çmimit të tyre. Mirëmenaxhimi i pronave është një tjetër aspekt ku do synohet rritja e të ardhurave për pushtetin vendor”, thuhet në propozimin e Ministrisë së Financave.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





