9 tetor 2013- Rizgjidhet për herë të dytë në postin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, pas mbarimit të mandatit të parë në shtator të këtij viti, Bashkim Dedja. Njoftimin në fjalë e ka bërë me dije zyra e presidencës, ku bëhet e ditur se:

“Në përfundim të procesit konsultues me përfaqësuesit e partive parlamentare, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 125, pika 4 të Kushtetutës së Shqipërisë, si dhe të nenit 7, pika 4 të ligjit Nr. 8577, dt.10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, dekretoi emërimin e Bashkim Dedja, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese".

Pas rizgjedhjes në këtë post, Bashkim Dedja ka rrëfyer se ky është një vlerësim i madh për të dhe institucionin.

“Natyrisht është një vlerësim shumë i madh që më bëhet mua dhe institucionit.Por edhe një vlerësim për tërë stafin. Gjykata Kushtetuese është një institucion që është vlerësuar nga raportet ndërkombëtare, sepse ka pasur një rol konstruktiv, në respektimin e Kushtetutës.Shpresoj që emri im të ketë qenë sa më konsensual gjatë diskutimeve me presidentin. Është një vlerësim për emrin tim dhe besoj se do të jap kontribut edhe maksimumin në respektimin e ligjit dhe Kushtetutës”.