13 gusht 2013- Një defekt i rëndë në rrjetin e ujësjellësit në Golem të Kavajës lë pa ujë të pijshëm një pjesë të madhe të bregdetit të Adriatikut në Gjirin e Durrësit. Shpërthimi i tubit kryesor në rrethrrotullimin e Golemit pasditen e së martës ka çuar në ndërprerjen e furnizimit me ujë të zonës së plazhit nga sektori i Plepave në plazhin e Durrësit deri matanë Malit të Robit. Drejtues teknikë të ujësjellësit të Durrësit dhe Kavajës bëjnë të ditur se në vendin e ngjarjes kanë shkuar brigadat e punës të cilat po punojnë për zëvendësimin e tubit të dëmtuar dhe rikthimin e normalitetit në furnizim, që gjithsesi ka qenë problematik gjatë këtij muaji. Tubi i dëmtuar vjen nga Manskuria dhe mundëson furnizimin me ujë të pijshëm të plazheve të rrethit të Durrësit nga Plepat deri te Përroi i Agait aty ku ky rreth ndahet me atë të Kavajës, për të vijuar me furnizimin e Golemit e më tutje në jug të tij. Për shkak të këtij dëmtimi e gjithë zona turistike në këtë fashë të bregdetit nuk do të mund të furnizohet as gjatë ditës së mërkurë.
/v. q. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





