Kosova është një prej 16 vendeve pritëse të “Defender Europe 21”, që është një stërvitje e përbashkët mbrojtëse shumëkombëshe e drejtuar nga ushtria amerikane.

Në “Defender-Europe 21”, marrin pjesë 27 shtete me mbi 28 mijë ushtarë.

Forca e Sigurisë së Kosovës me 330 ushtarë, do të jetë pjesë e stërvitjes “Defender-Europe 21”, ushtrimet e së cilës në Kosovë do të zhvillohen prej sot deri më 29 maj dhe arena e trajnimeve do të jetë në fshatin Babaj i Bokës në Gjakovë.

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama ditë më parë tregoi qëllimet kryesore të FSK-së si pjesëmarrëse e një stërvitje të tillë.

“Forca e Sigurisë së Kosovës do të jetë më 330 ushtarë, nënoficerë dhe oficerë, dhe qëllimi kryesor dhe synimi jonë kryesor është ta bëjmë validimin e një kompanie të këmbësorisë, me qëllimin që edhe ne të jemi pjesë dhe të marrim edhe përgjegjësinë në të ardhmen që t’i validojmë njësitë tonë me njerëzit tanë në të ardhmen. Objektivat kryesore të këtij ushtrimi ‘Defender Europe 2021’, janë ngritja e zhvillimit dhe ndërveprueshmërisë me partnerët, validimi i aftësive të këmbësorisë, të një kompanie tanë, aftësimi i ekipeve tona për validim në të ardhmen, dhe ndërvepruehsmëria e inteligjencës në vendet partnere”, ka thënë Rama.

Ushtrimi do të jetë i fokusuar në Aeroportin e Gjakovës, ndërsa trajnimet do të zhvillohen edhe në Babaj të Bokës.

Stërvitja synon të ngrejë gatishmërinë dhe të realizojë ndërveprim midis ushtrisë së ShBA-ve, NATO-s dhe ushtrive partnere, në mënyrë që bashkërisht të jenë të përgatitur për t’u përgjigjur ndaj çdo kërcënimi.

Trajnimi tashmë ka filluar në Shqipëri, që këtë vit është vendi kryesor mirëpritës i kësaj stërvitje gjigante ushtarake.