Në dëgjesën publike me grupet e interesit për Planin e Menaxhimit të Integruar të Zonës Arkeologjike A dhe B, Durrës, ministrja e Kulturës Elva Margariti dështoi të deklaronte para të pranishmëve një shifër konkrete të godinave që do të preken nga projekti.
Megjithëse plani i menaxhimit i hartuar nga Fondacioni Shqiptaro Amerikan i Zhvillimit (AADF) është hedhur për diskutim publik prej mëse një muaji dhe pritet të miratohet së shpejti nga qeveria Rama, ministrja dëshmoi njohuritë e saj të pakta për këtë projekt mjaft të rëndësishëm për trashëgiminë kulturore të Durrësit, po njëkohësisht edhe me impakt social, sepse dhjetëra familje do të preken drejtpërdrejt prej tij dhe do duhet të lënë shtëpitë e tyre.
E pyetur nga “DurrësLajm” për këtë çështje, ministrja tha:
“Nuk di t’ua them numrin e plotë të 5 zonave. Kemi bërë një ndarje me 5 nënzona sepse i tillë është dhe procesi i rishikimit, që do të jetë shumë i gjatë ai i rishikimit të detajimeve të ndryshme të projekteve dhe lind e gjitha nga baza e Institutit të Ndërtimit të ndërhyrjeve pas tërmetit.
Nevoja për të ndërhyrë në godina është nga dëmet që janë shkaktuar nga tërmeti, por për rrethin më të ngushtë, më të parë të amfiteatrit nuk po them asgjë të re kur them se nuk është një problematikë që nuk po lind sot.
DurrëLajm: Po nëse ju nuk dini që më parë numrin e godinave që mund të preken nga ky projekt a nuk mund të ndryshojë më vonë kostoja e projektit?
Margariti: Projekti nuk ka një kosto finale, përsa kohë ne nuk kemi dosjet e sakta.
DurrësLajm: Ju nuk thatë asnjë numër konkret të banesave që parashikohet të shemben. A mund ta vërë kjo në vështirësi qeverinë shqiptare në të ardhmen për ta vijuar këtë projekt, sepse shpronësimet varen nga qeveria e jo nga Fondacioni Shqiptaro Amerikan i Zhvillimit?
Margariti: Qeveria po vijon dhe po siguron fondet buxhetore çdo vit për të çuar përpara shpronësimet.
M.B.