Dëgjesa publike për projektdokumentin e parë të Programit Buxhetor Afatmesëm 2023-2025 të Bashkisë Durrës mblodhi në sallën e Këshillit Bashkiak përfaqësues të organizatave jo qeveritare, shoqërisë civile, qytetarë etj.

Drejtoresha e buxhetit, Valbona Qiriako prezantoi para të pranishmëve disa nga investimet kryesore që planifikohen të përfshihen në projektbuxhetin e 3 viteve të ardhshme në sektorin e arsimit, infrastrukturën rrugore, kulturë, shërbime publike etj.

Zëri që pritet të marrë pjesën e luanit në buxhetin afatmesëm është infrastruktura rrugore me 1.9 miliard lekë investime, i pasuar nga arsimi me 645 milionë lekë, shërbimet publike 493 milionë lekë dhe kultura e sporti 70 milionë lekë.

Por investimet në infrastrukturën rrugore nxitën diskutimin më të ndezur mes përfaqësuesve të bashkisë dhe Klaudio Hysenit, drejtorit ekzekutiv të “Durrësi aktiv”. Hyseni kërkoi të dinte nga përfaqësuesit e bashkisë nëse në projektet e rikonstruksionit të rrugëve janë parashikuar edhe korsitë e biçikletave dhe a do të ndërtohen ato me standarte, ndryshe nga investimet e realizuara më parë për këto korsi, në disa nga rrugët ekzistuese si tek aksi “Pavarësia” dhe “Mars 91”.

Ndërkohë, përfaqësuesja e CSDC Durrës, Miriam Reçi rekomandoi që para sesa të flitet për investime në bibliotekat e lagjeve, siç është parashikuar në buxhet, të gjendet një zgjidhje konkrete për bibliotekën e qytetit, e cila është në gjendje mjaft të degraduar prej vitesh.

Një shqetësim tjetër i ngritur gjatë dëgjesës publike ishte nevoja për investime në shkollat publike, të cilat nuk janë përfshirë në programin e rindërtimit, por edhe krijimi i qendrave rinore, pasi mungesa e tyre mbetet një problematikë e theksuar për adoleshentët dhe të rinjtë e qytetit.

Investimet që planifikohen të realizohen në arsim në vitet 2023-2025

Ndërtim shkolla 8-vjeçare “Met Hasa”

Rikonstruksion i Qendrës Kulturore të Fëmijëve

Ndërtim kopshti dhe shkolla fillore “Jusuf Hoti”

Ndërtim shkolla e re nga bashkimi i dy shkollave 9-vjeçare “Vasil Ziu” dhe “Nënë Tereza”

Rikonstruksion shkolla 9-vjeçare “Demokracia”

Rikonstruksion kopshti në Kameras

Rikonstruksion shkolla “Besnik Hidri”, Shënvlash

Rikonstruksion shkolla “Dom Nikollë Kaçorri”

Investimet që planifikohen të realizohen në infrastrukturë rrugore në vitet 2023-2025

Sistemim KUB në rrugën “Taulantia”

Rikualifikim dhe elementë urbanë në bllokun e parafabrikateve në lagjen nr.18 dhe nr.16 (loti I)

Rikonstruksion rruga “A.Goga”, segmenti Muzeu i Dëshmorëve – Spitali

Rikonstruksion rruge në Njësitë Administrative

Rikonstruksion rruge dhe hapësira publike në qytet

Investimet që planifikohen të realizohen në shërbime publike në vitet 2023-2025

Blerje kazanë për mbetje urbane

Blerje automjete për NSHK dhe NKPlazh

Rehabilititimi i fasadave të pallateve

Rikualifikim dhe elementë urbanë në bllokun e parafabrikateve në lagjet nr.18 dhe 16 (loti II)

Ndriçim rruge “Bajram Tusha” Shkozet

Ndriçim rruge dhe hapësira publike

Investimet që planifikohen të realizohen në kulturë dhe sport në vitet 2023-2025

Bashkëfinancim me FSHF për zbatimin e projektit të rikonstruksionit të kompleksit sportiv “Niko Dovana”

Hartim projekti terrene sportive në qytet dhe NJA

Ndërtimi i terreneve sportive

Biblioteka të reja në lagje

M.B.