Në ambientet e Autoritetit Portual Durrës, u zhvillua Konsultimi me Publikun, me qëllim implementimin e projektit “Thellimi i Basenit dhe Kanalit Hyrës në Portin e Durrësit”.

Në prani të specialistëve portualë dhe përfaqësuesve nga shoqata dhe institucione të ndryshme, eksperti konsulent i Mjedisit, Gazmend Zeneli, trajtoi problematikat kryesore me të cilat pritet të përballen investitorët dhe zbatuesit e projektit të thellimit emergjent të basenit dhe kanalit hyrës.

Thellimi i basenit dhe kanalit hyrës të Portit të Durrësit do të mundësonte futjen në Portin e Durrësit të anijeve të një madhësie prej 20,000 tonë apo 1,000 TEU, si dhe ankorimin e tyre në kalatat e portit. Gjatë ekspozesë u morën në konsideratë edhe nivelet e baticës dhe zbaticës, të dhënat e survejimit batimetrik, etj. Nga raporti i paraqitur rezulton se thellësia e kanalit do të jetë 10.5 metra dhe gjerësia e tij 115 metra.

Të pranishmit u ndalën gjatë në vendin e depozitimit, që parashikohet të jetë zonën detare 7.4 km në jug-perëndim të hyrjes së portit, në një sipërfaqe prej 1.5 x 2 km. Punimet e dragimit (thellimit) priten të realizohen në një sipërfaqe prej rreth 1.220.000 m², dhe volumi i përgjithshëm që pritet të gërmohet sipas objektivave të projektit pritet të jetë rreth 1.335 milion m³.

Dëgjesa u drejtua nga zëvendësdrejtori ekzekutiv i APD-së, Bujar Dhima, ndërsa morën pjesë edhe drejtori i Administratës së Përgjithshme Detare, Gazmend Tahiri, Kapiteni i përgjithshëm i porteve, Paulin Ndreu, përfaqësues nga Bashkia e Durrësit dhe nga Agjencia Rajonale e Mjedisit.