Në një intervistë për "DurrësLajm" fqinjët e familjes Neziri kanë treguar se si kanë mësuar ngjarjen e rëndë që ndodhi mesditën e sotme në lagjen 17 të qytetit të Durrësit, ku mbetën të plagosur dy të moshuar pas një sherri me të birin.

Ata tregojnë se pasi kanë dëgjuar ulërima, kanë ndërhyrë për t’u dhënë ndihmë të moshuarve, 64-vjeçares Asije dhe 75-vjeçarit Destan Neziri dhe më pas i kanë transportuar me urgjencë për në spital.

Mes të tjerash fqinjët pohojnë se të moshuarit njiheshin si njerëz të qetë dhe intelektualë, ndërsa thanë se nuk kishin dijeni për ndonjë konflikt në këtë familje.

Ndërkohë, burime nga spitali bënë me dije se dy të moshuarit ndodhen në kirurgji, ku gruaja ka rreth 10 plagë në trup nga goditjet me thikë, ndërsa burri ka marrë një plagë të madhe në fyt.

25-vjeçari Hajri Neziri është vetëdorëzuar në polici bashkë me të dashurën për të cilën ka dyshime se ka qenë pjesë e konfliktit.