KORCE, 12 nëntor 2013 -Klodi ime më shkatërroi. Ajo gënjen kur thotë se babai im e ka përdhunuar. Këtë gënjeshtër të turpshme e ka sajuar për t'ia mbathur me dikë tjetër". Kështu u shpreh dje Kelvi Begolli, bashkëshorti i 17-vjeçares Klodjana Gjonaj, e cila dy ditë më parë denoncoi vjehrrin e saj se kishte kryer me të marrëdhënie seksuale me dhunë. Ngjarja pohohet të ketë ndodhur mëngjesin e së shtunës, në fshatin Menkulas të rrethit të Devollit. Menjëherë pas denoncimit, blutë vunë në pranga Gjergji Begollin. E ndërsa pritet të dalë akt-ekspertiza për të provuar fajësinë e 44-vjeçarit, vetë ky i fundit ka deklaruar gjatë marrjes në pyetje se është i pafajshëm dhe se ngjarja është sajuar nga nusja e djalit të tij. "Nuk kam qenë në shtëpi në kohën kur nusja e djalit pretendon se e kam përdhu-nuar. Kam qenë me bashkëshorten tek të afërmit e saj. Kjo është lehtësisht e verifikueshme. Nuk e kuptoj pse ajo e sajoi këtë histori. Kisha pak kohë që isha kthyer nga emigrimi dhe Klodjanën e doja si vajzën time. Nuk mund ta bëja kurrsesi një gjë të tillë. Ky është një turp i madh, do të doja që të mos jetoja më", – ka thënë në polici Gjergji Begolli. Ndërkohë, ka reaguar bashkëshorti i 17-vjeçares, i cili kërkon lirimin e menjëhershëm të të atit. Në një intervistë për "Gazeta Shqiptare", Kelvi Begolli pohon se gruaja e tij ka trilluar me qëllim për t'u larguar nga shtëpia e tyre. 19-vjeçari Begolli rrëfen me detaje telefonatën e fundit me të shoqen, dyshimet dhe dhimbjen që i ka lënë pas kjo histori.
Si ndiheni pas asaj çfarë ndodhi në familjen tuaj?
Ndihem i shkatërruar dhe i turpëruar. Ajo që ndodhi në familjen time po më kushton shumë. Jam i tronditur dhe prej dy ditësh nuk kam vënë gjumë në sy, duke u përpjekur të gjej ndonjë gabim tek vetja. Nuk di ç'të them, pasi ajo çka sajoi Klodi, bashkëshortja ime, ishte tepër e rëndë. Por gënjeshtra e madhe e saj do të zbardhet shpejt nga organet e drejtësisë.
Pse thoni që bashkëshortja juaj gënjen?
Sepse dola me babain tim nga kjo derë në të njëjtën kohë dhe nuk ka asnjë mundësi të ndodhë një gjë e tillë. Jemi familje e rregullt. Kam bindjen e plotë tek pafajësia e tij. Klodi ka qenë vërtet vetëm në shtëpi, por babai im nuk ka qenë aty. Kjo është një trillim i saj për t'ia mbathur nga kjo shtëpi. Unë kisha gati 10 ditë që kisha vënë re një ftohtësi nga ana e saj. Klodi nuk ishte më si më parë, më rrinte larg. Merrte telefonin e mamit dhe brenda pak minutash i harxhonte paratë. Nuk merrte asgjë përsipër dhe heshtte thuajse ishte pa faj. Megjithatë unë nuk fola, por ja ku arriti. Jam i bindur që ajo ka pasur një lidhje jashtëmartesore, ndaj gjeti këtë gënjeshtër të turpshme për të akuzuar babain tim, që e ka trajtuar dhe e ka dashur si vajzën e tij.
Pas ngjarjes, keni kontaktuar me të?
Më mori në telefon dhe më kërkonte falje që nuk do ishte më me mua. Ajo pretendonte se babai im e ka përdhunuar dhe për shkatërrimin e martesës ka qenë ai fajtori i vetëm. Ajo më tha: "Unë të kam dashur edhe të dua. Dua të më kuptosh, por u largova, pasi babai yt më përdhunoi. Këtë nuk mund ta duroja. Shpresoj të më kuptosh për hir të dashurisë. Fajtori i vetëm është babai yt, dhe ti e kupton këtë", më tha në telefon. Por unë i njoh prindërit e mi, dhe për më tepër babain tim. Kjo ngjarje nuk ka lidhje me të. Më pas më kërkoi që t'i çoja rrobat që i kishin mbetur në shtëpinë time, tek të afërmit e saj.
Keni pasur konflikte në çift?
Ne shkonim shumë mirë, pavarësisht se nuk ishim martuar me dashuri. Kishim shumë ëndrra dhe dëshironim të kishim fëmijë. U martuam 7 muaj më parë, por kohët e fundit ajo ishte e tërhequr dhe dukej që kishte diçka që e shqetësonte. Nuk ishte më Klodi që unë njoha, u fejova dhe u martova. Me këtë që bëri ajo, nuk ka më vend tek unë, u vuri vetë shkelmin të gjithave. Shpresoj që e vërteta të dalë dhe nuk dua të dëgjoj më për të.
Çfarë kërkoni aktualisht?
Lirimin e babait. Ai nuk ka faj, nuk ka bërë asgjë dhe për këtë jam i bindur. Nuk dua asgjë tjetër veç të vërtetës.





