OSBE/ODHIR në Tiranë ka mbështetur deklaratën e bërë nga delegacioni i BE në Tiranë, i cili kërkon shtyrjen e zgjedhjes së kreut të AMA për në shtator.

Në njoftim theksohet nevoja e një procesi gjithëpërfshirës, pjesëmarrës dhe transparent për emërimin e kryetarit dhe anëtarëve të rinj të AMA, për t’u siguruar që ky institucion mund të përmbushë në rastin më të mirë misionin e saj të ndjeshëm.

“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka ndjekur procesin e zgjedhjes së kryetarit dhe anëtarëve të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA). Po ashtu, ne kemi qenë në kontakt me aktorët përkatës, duke theksuar nevojën për një organ të pavarur të rregullimit të medias. Ne nënvizojmë rëndësinë e një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent për emërimin e kryetarit dhe anëtarëve të rinj të AMA-s, për të garantuar që AMA ta përmbushë më së miri misionin e saj të ndjeshëm.”, thuhet në njoftimin për mediat.