Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka reaguar në “X”, për deklaratat e Sali Berishës ndaj ambasadorit Silvio Gonzato.
Ajo ka shprehur indinjatën për këtë veprim, teksa shkruan se Qeveria shqiptare e Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme distancohen plotësisht nga qëndrime të tilla.
“Tejet e indinjuar nga sulmi i paprecedentë ndaj Ambasadorit të BE-së dhe ndaj vlerave të BE-së në Parlament ditën e sotme.
Normalizimi i gjuhës së urrejtjes në diskursin politik dhe shtrembërimi i qëllimshëm i fakteve në lidhje me Ligjin jetik për Barazinë Gjinore është krejtësisht i papranueshëm.
Qeveria Shqiptare dhe Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme distancohen plotësisht nga retorika dhe qëndrime të tilla.
Sot, është rasti të përsërisim edhe një herë me zë të lartë se Shqipëria qëndron e bashkuar me Europën. Ky spektakël i pahijshëm nuk do të na dekurajojë nga reformat jetike të integrimit, as nga angazhimi ynë thelbësor për të ngushtuar në ZERO hendekun e mundësive për gratë dhe vajzat”, thuhet në reagimin e saj.





