Brenda pak ditëve, dy lëvizje të rëndësishme për Durrësin, që pritet të impaktojnë në zhvillimin ekonomik të viteve të ardhshme. Pa ikur akoma jehona e fillimit të shitjes së 110 apartamenteve të para të projektit Durrës Yacht Marina, të hënën u prezantua projekti përfundimtar i portit të ri tregtar në Porto Romano, i hartuar nga kompania prestigjioze “Royal Haskoning DHV”.
Zhvendosja e portit është fakt i kryer për qeverinë e si për të shuar kuriozitetin e të gjithë atyre që pyesin kur do nisë ndërtimi i komplekseve rezidenciale Rama tha:
“Do të shikojmë fazën e parë të portit të ri turistik që nis faktikisht për pak javë. Ajo fazë zhvillohet në një hapësirë që nuk prek asnjë aktivitet tregtar të portit aktual”.
Prania e biznesmenit Muhamed Alabbar në Durrës ditën e nisjes së shitjes së apartamenteve konfirmoi dhe më shumë faktin se mbase nuk do të pritet as vendimi i Gjykatës Kushtetuese, por ndërtimet rezidenciale do të nisin sapo të jepet leja e ndërtimit nga KKT.
E ndërsa për projektin e portit turistik nuk u zhvillua asnjë garë ndërkombëtare,, për ndërtimin e portit të ri qeveria zgjedh një procedurë komplet tjetër.
“Gara është e hapur, presim kompani nga vendet mike dhe partnere. Ne do të mirëpresim me krahë hapur, do t’i ofrojmë të gjithë informacionin, do të garantojmë transparencë të plotë për të gjitha kompanitë, që do të vijnë nga BE, nga Mbretëria e Bashkuar, nga Turqia, nga Lindja e mesme dhe natyrisht nga SHBA“,- tha Rama.
Pas reagimit të BE-së, që deklaroi për BIRN se po e monitoron marrëveshjen e portit turistik dhe se është “në pritje të sqarimeve nga qeveria shqiptare”, kryeministri kërkon të “kënaqë” me projektin e portit të ri partnerët evropianë.
Si deputet i qytetit bregdetar, kryeministri nuk harroi të theksojë rëndësinë që do t’i japë Durrësit ky port.
“Thënia e vjetër e kohës së Perandorisë Romake se të gjitha rrugët të çojnë në Romë, falë edhe Erikut dhe grupit të inxhinierëve dhe të analistëve të “Royal Haskoning DHV” do të bëjë që të gjitha rrugët e Ballkanit Perëndimor të çojnë në Durrës. Ambicia jonë është që porti i ri tregtar i Durrësit të bëhet pikërisht nyja më e rëndësishme strategjike e gjithë qarkullimit tregtar me Perëndimin dhe me gjithçka tjetër shkon përtej anës perëndimore”, – tha Rama gjatë prezantimit të projektit.
Partneriteti Publik-Privat (PPP) do të jetë edhe në këtë projekt të ri, faza e parë e të cilit pritet të kushtojë 390 milionë euro.
Projekti i portit të ri tregtar pritet të jetë një vepër me rëndësi kombëtare në funksion të tregut të përbashkët rajonal. Projekti i portit të ri tregtar të Durrësit integron hekurudhën Durrës – Prishtinë dhe portet e thata në Kosovë e Maqedoni të Veriut.
M.B.