Policia e Shtetit ka reaguar pas deklaratës së fortë të Sekretarit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi nga selia blu.

Sipas policisë, në selinë e Partisë Demokratike janë pyetur vetëm deputetët e Partisë Demokratike, ndërsa personat e tjerë që janë konstatuar brenda selisë janë shoqëruar në ambientet e Policisë se Shtetit, për t’u marrë në pyetje.

“Me keqardhje dëgjuam deklaratat e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, z. Gazment Bardhi, në lidhje me punën hetimore të Policisë që po kryhet për dokumentimin e shkatërrimit të pronës dhe akteve të dhunës të ndodhura gjatë protestës së sotme në selinë e Partisë Demokratike.

Sqarojmë opinionin publik se në vijim të veprimeve procedurale të kryera nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në selinë e Partisë Demokratike janë pyetur vetëm deputetët e Partisë Demokratike, ndërsa personat e tjerë që janë konstatuar brenda selisë janë shoqëruar në ambientet e Policisë se Shtetit, për t’u marrë në pyetje.

 Policia e Shtetit do të vijojë me profesionalizëm dhe vendosmëri, veprimet ligjore, për të dokumentuar të gjitha veprimet e kundërligjshme gjatë protestës së sotme dhe për të vënë para përgjegjësisë ligjore të gjithë personat përgjegjës. Njëkohësisht, Policia e Shtetit garanton qytetarët se shërbimet e Policisë janë në terren dhe janë të angazhuara maksimalisht për të garantuar rendin dhe sigurinë”, sipas Policisë së Shtetit.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së në një deklaratë për mediat nga selia blu ka kundërshtuar shoqërimet në polici që po kryhen në PD.

Sipas tij, po shoqërohen pa të drejtë në polici anëtaret e PD-së, kur nuk kanë kryer asnjë krim. Bardhi tha se pas terrorit të Berishës, demokratët po kalojnë edhe një terror tjetër, atë të Edi Ramës, përmes Policisë së Shtetit.