Eksperti armen: Aplikimi për anëtarësim në "Bashkimin doganor" (Rusi, Bjellorusi) dobësoi pozitat e Armenisë në Evropë. Edhe vende të veçanta evropiane gjithashtu do të bëjnë deklarata të tilla. Shqipëria është rasti i parë, por jo i fundit, kjo gjë do të vazhdojë

EREVAN, 27 tetor 2013 – Shqipëria është vendi parë që i kundërvihet hapur Armenisë, por mund ta pasojnë edhe vende të tjera. Kryediplomati shqiptar Ditmir Bushati shkakton stuhi në Erevan, teksa ka bërë thirrje për tërheqjen e ushtrisë armene nga territori i Nagorni-Karabakut, i konsideruar si territor i Azerbajxhanit, por i pushtuar. Madje, Bushati konsiderohet “sufler" i tërthortë i Brukselit, që nuk është dakord me afrimin e Erevanit me Moskën.

Deklarata e Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë Ditmir Bushati mbi nevojën e zgjidhjes së konfliktit në Karabak në kuadër të tërësisë tokësore të Azerbajxhanit (shih: http://www.durreslajm.com/politike/shqiperia-armenia-te-terheqe-ushtrine-nga-tokat-e-pushtuara-azere) duhet shqyrtuar në kontekstin e daljes së Armenisë nga procesi i madh i “Partneritetit lindor” të BE-së, thonë mediet armene. Për këtë problem u shpreh drejtuesi i qendrës analitike armene mbi globalizmin dhe bashkëpunimin rajonal Stepan Grigorjan (në foto) në një bisedë me korrespondentin e agjencisë armene NEWS.am. Eksperti armen Grigorjan ka bindjen se, fill pas deklarimit, më 3 shtator 2013, për hyrjen në “Bashkimin doganor” (Rusi, Bjellorusi, Kazaktistan, Kirgizi dhe Taxhikistan), pozitat e Armenisë në Evropë u dobësuan. “Ne (Armenia) ishim në një proces të BE-së që quhej “Partneriteti lindor” (Armeni, Azerbajxhan, Bjellorusi, Gjeorgji, Moldovë dhe Ukrainë). Tani kemi dalë prej tij, kjo do të thotë se qëndrimet tona mbi çështjet e tjera, duke përfshirë Nagorni- Karabak-un, do të dobësohen”, – tha Stepan Grigorjan. Ai shtoi se për këtë gjë dëshmon një shembull nga rezoluta e fundit e Parlamentit Evropian , ku ka disa formulime, që i prishin punë Armenisë. Aty thuhet se një vend i “Partneritetit lindor”  nuk mund të pushtojë territorin e një vendi tjetër. “Këto janë pikërisht pasojat e ndryshimit dramatik në politikën tonë (armene). Më tej edhe vende të veçanta evropiane gjithashtu do të bëjnë deklarata të tilla. Shqipëria është rasti i parë, por jo i fundit, kjo gjë do të vazhdojë”, – shprehu opinionin politologu, duke vënë në dukje se numri i mbështetësve dhe miqve të Armenisë në Evropë ka rënë në mënyrë dramatike. Agjencia armene nënvizon se ministri i Punëve të Jashtëm të ShqipërisëDitmir Bushati në një intervistë me mediet azerbajxhanase shprehu mbështetjen për zgjidhjen e konfliktit të Nagorni- Karabakut vetëm me mjete paqësore brenda kuadrit të së drejtës ndërkombëtare dhe tërësisë tokësore të Azerbajxhanit. Me këtë rast, ai i bëri thirrje Armenisë “të tërheqë forcat e saj të armatosura nga territoret e pushtuara të Azerbajxhanit”. (Sqarim: shënimet në kllapa janë të “Dyrrah”-ut”).

 

/përgatiti th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/