DURRËS, 12 nëntor 2014– Lëvizja në fjalë është shprehur për Portalin  “Dyrrah” duke denoncuar ekspansionin e betonit dhe dëmtimin e simboleve e vlerave antike, historike e kulturore të Durrësit. Më poshtë do të gjeni këtë deklaratë:

 “Ne, nismëtarët për mbrojtjen e shatërvanit historik dhe vlerave të trashëgimisë kulturore të Durrësit, vërejmë se, pavarësisht protestave qytetare, z. Vangjush Dako vazhdon të ndjekë rrugën e tij, duke prishur bazamentin e këtij objekti historik, të vendosur prej gati 80 vjetësh në Sheshin “Liria”, dhe kthyer në fakt të pamundur qëndrimin e tij aty.

Si përfaqësues të kësaj lëvizje qytetare, i kërkojmë z. Dako që të ndalë dorën e dëmtimit të mëtejshëm dhe shpërfytyrimit të njërit prej simboleve të Durrësit modern, të përfshirë prej dekadash në jetën shpirtërore të qytetarëve durrsakë.

Edhe njëherë, ne e bëjmë me dije z. Dako se, krahas protestave të vazhdueshme, do të ndjekim të gjitha rrugët ligjore për të bërë transparencën e përgjegjësisë për dëmtimin e simboleve të Durrësit, si edhe do të ushtrojmë të gjitha drejtat qytetare për ta mbrojtur qytetin tonë nga kushdo që do të ngrejë dorë mbi simbolet e qytetit, që për të gjithë ne janë të shenjta.

Z. Dako, ndërsa ka rrënuar jetën kulturore të qytetit të Durrësit, ka dëmtuar në mënyrë të pariparueshme një pjesë të trashëgimisë historike të këtij qyteti, duke betonizuar hapësirat publike, duke ndërtuar në zonat e mbrojtura arkeologjike dhe duke poshtëruar aspiratat evropiane të të gjithë njerëzve të këtij qyteti, duke dëmtuar në këtë mënyrë edhe përfitimet ekonomike të qytetit nga turizmi.

Lëvizja qytetare për mbrojtjen e shatërvanit përfaqëson mbarë qytetarinë durrsake, e cila, ditë pas dite, solidarizohet me ne në mbrojtje të vlerave qytetare, kupton më së miri si modernen, ashtu edhe historiken. Por, në këtë rast, nuk bëhet fjalë as për vlera, por vetë, për interesa të vogla mbi ekspansionin e betonit.

Lëvizja për mbrojtjen e shatërvanit, e inspiruar nga një thirrje e fortë qytetare dhe misioni që përfaqëson, për të cilin u bashkua, bëjmë me dije opinionin se, krahas protestave, do të përdorim edhe të gjitha mjetet e tjera demokratike për të sensibilizuar më tej gjithë qytetin për atë çfarë është duke ndodhur në Durrës, për t’i ndalur dorën z. Dako dhe betonizimit të qytetit, dhe rikthyer bashkinë qytetarëve të Durrësit.

Z. Dako, ju kujtojmë se mbi 7000 familje durrsake kanë firmosur në mbrojtje të vlerave dhe për t’i thënë jo betonit”.

/g.b. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/