Kryeministri Edi Rama ka sulmuar sërish opozitën lidhur me deklaratat e dhëna në mediat e huaja për fenomenin e largimit të shqiptarëve me gomone drejt Britanisë së Madhe.
Kreu i PD, Sali Berisha në një artikull të Daily Mail është shprehur se: “Shqipëria po bëhet vendi më i rrezikshëm në Ballkan dhe Europë”.
Ndërsa Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një intervistë për radion britanike LBC deklaroi se shkaqet kryesore që shqiptarët po ikin nga vendi i tyre janë mungesa e mundësive dhe e shtetit të së drejtës.
Në një status në “Twitter” Rama shkruan se politikanët që luftën politike e eksportojnë në mediat e huaja, janë një llum ku jo besimi po as vështrimi nuk duhet hedhur.
““Çfarë shqiptari je kur ia beson votën dhe përfaqësimin tënd dikujt që sulmon Shqipërinë në gjuhë të huaj? Politikanët që s’kanë asnjë dinjitet me të huajt dhe që luftën politike e eksportojnë në mediat e huaja, janë një llum ku jo besimi po as vështrimi nuk duhet hedhur!”-shkruan Rama.