Ambasada amerikane ka reaguar pas deklaratave të mbrëmshme nga ish-kryeministri, Sali Berisha përsa i përket një propozimi të bërë nga Yuri Kim lidhur me zgjidhjen e krizës në PD.

“Pozicioni i SHBA në lidhjet me shpalljet “non grata” për korrupsion madhor mbetet i qartë dhe nuk mund të negociohet”, sqaron ambasada.

Deklarata e Berishës ditën e djeshme:

Unë dua t’i njoh qytetarët shqiptarë, meqë detyrohem ta bëj publike këtë dhe demokratët në veçanti se pas zgjedhjeve të 6 marsit guvernatorja Kim dërgoi në zyrën time një person me propozimet e saj.

Propozime që konsistonin që unë të hiqja dorë provizorisht nga gara për kryetar të PD-së, të caktoja cilindo njeri që doja unë dhe atë provizorisht dhe më pas mund të kandidoja vetë për kryetar, duke paraqitur garanci të plotë se Basha do të largohej dhe do të pranonte vendimet.

Përgjigjja ime ishte një refuzoj në mënyrë kategorike çdo ndërhyrje tuaj zonjë në problemet e brendshme të PD-së, refuzoj dhe kërkoj në mënyrë të prerë që të mos ndërhyni në zgjedhjen e forumeve dhe kryetarit të PD-së, sikundër jashtë çdo dyshimi që unë mund të pranoj ndërhyrje të tilla.