Aksioni kundër informalitetit në paga  ka vijuar edhe përgjatë muajit dhjetor dhe ka përfshirë kontrollin e 1,197 bizneseve në të gjithë vendin. Ky operacion synon sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin e tatimpaguesve për rëndësinë e deklarimit të pagave reale.

Nga këto kontrolle, tatimet bëjnë me dije se 78% e bizneseve apo 936 prej tyre kanë reaguar pozitivisht duke ndryshuar deklarimet e pagave. Nga ana tjetër, nga administrata tatimore janë marrë masa për shkeljet e legjislacionit tatimor, ku janë gjobitur subjekte me masa administrative në vlerën 6.1 milion lekë.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, thekson se strukturat e hetimit dhe kontrollit të specializuar do të vazhdojnë hetimet ndaj individëve që nuk deklarojnë pagat reale. Sipas tatimeve, deklarimi i pagës reale është detyrim ligjor dhe një hap i rëndësishëm drejt garantimit të barazisë fiskale dhe formalizimit të tregut të punës.

Në datën 1 tetor Administrata Tatimore u ka dërguar një njoftim të përgjithshëm 130 mijë tatimpaguesve në Republikën e Shqipërisë, të regjistruar deri në fund të shtatorit 2024.

Si rezultatet i kësaj fushate, 9.000 tatimpagues kanë reaguar pozitivisht duke reflektuar në deklaratatat e listëpagesave të tyre, pas njoftimit të parë të Administratës Tatimore, duke rritur fondin e deklaruar të pagave me një total prej 1.25 miliard lekësh.

Pas rezultateve të arritura nga analiza e të gjitha listëpagesave të deklaruar në muajin tetor 2024, Administrata Tatimore ka identifikuar 37.331 tatimpagues me risk në fushën e informalitetit të pagave, ata të cilët pavarësisht njoftimit të parë nuk reaguan. Kësaj kategorie iu dërgua një tjetër njoftim i personalizuar, për ti dhënë bizneseve mundësinë e dytë dhe të fundit për të reaguar, dhe nga ana tjetër u targetuan si objekt kontrolli dhe monitorimi.