Tiranë, 23 nëntor 2013- Pas problemeve të shfaqura rëndom nga ngarkesa në sistemin e deklarimit online të Tatimeve, është marrë edhe masa e nxjerrjes jashtë shërbimit për pak kohë nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme. Në një njoftim të ditës së djeshme bëhet me dije se sistemi do të jetë jashtë funksionit, nuk mund t’i shërbejë biznesit për pak kohë dhe ky afat do të njoftohet në një moment të dytë.
“Problemet e konstatuara në mirëmbajtjen e sistemit dhe amortizimi i rrjetit kanë cenuar nivelin e shërbimit dhe kërkojnë ndërhyrje më të thella në vazhdim. Për këto arsyeje, DPT u kërkon ndjesë të gjithë taksapaguesve për ndërprerjen e përkohshme të shërbimit të vetëdeklarimit online. Rivënia në punë do t’ju njoftohet menjëherë sapo sistemi të jetë gati”, thuhet në deklaratën për shtyp të Financave lidhur me vendimin e Tatimeve.
Po dje edhe administrata doganore e kishte fokusin në një projekt që lidhej pikërisht me sistemin e këtij institucioni dhe që është mbështetur me fondet e BE-së përmes projektit IPA. Në këtë aktivitet, drejtoresha e Doganave, Elisa Spiropali, u shpreh se Shqipëria ka përfituar mjaft nga kjo mbështetje dhe se në vijim do të ketë fokusin që të aplikojë për projekte të reja.
“Ne veçse do të intensifikojmë kërkesat dhe ambicien tonë për të aplikuar dhe fituar të gjitha projektet e BE-së që modernizojnë sistemin tonë doganor”, u shpreh Spiropali.
Mbështetja përmes projektit IPA ka konsistuar në rritjen e kapaciteteve në fushat e analizës së menaxhimit të riskut apo laboratorit doganor.





