16 shtator 2015 – Burime brenda mazhorancës thanë për portalin ‘Lapsi.al’ se shumë shpejt kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi dhe ai i Krujës, Artur Bushi, pritet të japin dorëheqjen duke i hapur rrugë kështu zgjedhjeve të reja në këto dy bashki. Largimi i tyre do të jetë një tjetër rezultat i betejës për dekriminalizimin që opozita shqiptare dhe partnerët ndërkombëtarë kanë ndërmarrë fuqishëm muajt e fundit. Lapsi mësoi se si argument për dorëheqjen e mundshme të këtyre dy personazheve do të jetë tërheqja që opozita ka bërë nga këshillat bashkiakë në Kavajë e Krujë. Duke i akuzuar si elementë me të shkuar kriminale, Partia Demokratike bojkotoi këshillat bashkiakë dhe nisi një fushatë të fortë ndërkombëtare për të denoncuar përfshirjen e individëve të lidhur me krimin në nivelet e larta të vendimarrjes së shtetit.

Kryeministri Edi Rama i pati injoruar akuzat e opozitës dhe bashkë me to edhe rekomandimet e BE-së dhe SHBA-së për të mos kandiduar persona me të shkuar kriminale. Ai doli publikisht për të mbrojtur kandidatët e tij dhe për të bërë apologjinë e të kaluarës së tyre problematike në vendet e BE-së. Rama tha se ndryshimi i emrave apo akuzat e policisë italiane, kishin të bënin me probleme të vogla dokumentash dhe se nuk kishte prova për fajësinë e të zgjedhurve prej tij. Rama fitoi zgjedhjet e 23 qershorit, përfshi edhe bashkitë që ishin bërë objekt i debatit për dekriminalizimin. Duke shpresuar se zhurma do të zgjaste pak dhe kjo çështje do të harrohej, kryeministri nuk dha asnjë shenjë reflektimi përkundrejt presionit në rritje të opozitës.

Por siç ndodh rëndom, kur e keqja fryhet, krismat e deputetit Armando Prenga në Laç do të plasnin edhe skandalin brenda mazhorancës. Prenga u arrestua, ndërsa deputeti tjetër i Lezhës, Arben Ndoka dorëzoi mandatin, si një nga individët për të cilin presioni nga SHBA u bë thuajse i hapur. Me këtë dorëheqje, kryeministri tentoi të mbyllë një kapitull që në fakt sapo është hapur dhe nuk dihet ku do të përfundojë. Rama u shfaq me ish-deputetin Ndoka në Lezhë, në një shfaqje për kuponin tatimor, duke dashur të japë mesazhin që ikja e tij ishte për të kënaqur ndërkombëtarët, por qytetarët duhet ta dinin se ai mbetej në krah të tij.

Mesazhet e fundit të Parlamentit Europian, ku Shqipëria u krahasua me epokën e filmave me kaubojsë, ku u dha alarmi për depërtimin e krimit në nivelet më të larta dhe cenimi i zgjedhjeve të lira, dëshmuan se asgjë nuk është mbyllur me një lënie mandati. Në të njëjtën kohë, ambasadori i Britanisë së Madhe tha hapur nga Durrësi se disa kryebashkiakë të zgjedhur nuk përmbushin standardet e përfaqësuesit të qytetarëve. Në vijim të dekriminalizimit dhe presionit të opozitës, ndërkombëtarët presin hapa dhe akte konkrete nga kryeministri shqiptar. Elvis Roshi dhe Artur Bushi mund të jenë goditjet e radhës. Por lista është e gjatë dhe mazhoranca pritet të përjetojë të tjera goditje. /Marrë nga Lapsi.al