NGA ADRI NURELLARI
Edhe pse kanë kaluar disa javë prej zgjedhjeve vendore anembanë Shqipërisë vërehen ende me shumicë materiale promovuese të marketingut elektoral të partive dhe kandidatëve të ndryshëm. Në ditët në vijim, partitë politike shqiptare duhet që të raportojnë para Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për financimet dhe shpenzimet e tyre gjatë fushatës dhe përsëri sipas të gjitha gjasave kanë për të fshehur pjesën më të madhe të shpenzimeve, ndërkohë që prokuroria do ta tolerojë e do qëndrojë duarkryq ndaj mungesës së transparencës, sikurse ka bërë në çdo proces zgjedhor pararendës. Në zgjedhjet e fundit, sasia e parave e hedhur në fushatë është rritur ndjeshëm, duke kapur shuma marramendëse dhe për ta kuptuar këtë, nuk ka nevojë të bësh shumë hulumtim. Qiraja mujore e një zyre elektorale apo e një city-light apo billboard është disa qindra euro e po ashtu qindra euro kushtojnë materialet e printuara të vendosura aty. Për të mos folur mandej për qiranë e skenave, ndriçimit e fonisë të përdorura në tubime apo për koston e madhe që ka transmetimi i reklamave të panumërta televizive.
Kjo situatë lë të kuptohet se aktorët politikë po kompensojnë me fushata profesionale e të sofistikuara mungesën e performancës në qeverisje apo alternativës bindëse nëse kanë qenë në opozitë. Pra mangësitë e produktit politik po i mbulojnë apo kompensojnë me rritjen e cilësisë së ambalazhit. Mungesën e përmbajtjes së mesazhit e kompensojnë me zbukurimin e imazhit. Me pak fjalë investimi bujar në fushatë zgjedhore është në njëfarë mënyre dështim në rezultate apo performancë.
Kuptohet që sërish partitë jo vetëm do të minimizojnë sasinë e shpenzimeve të deklaruara, por edhe do deklarojnë që financimi është bërë në mënyrë vullnetare. Mirëpo në një vend ku pothuaj nuk ekziston vullnetariati apo angazhimi në shoqërinë civile pa synuar shpërblim material është e vështirë që të mendohet se fondet e dhëna për fushatën zgjedhore janë dhënë për kauzën apo për ideal. Pra në kushtet kur niveli i dhuratave apo i lëmoshës së dhënë për bamirësi e për solidaritet njerëzor është minimale nuk ka si të jetë maksimale për partitë politike të cilat gjithnjë e më shumë shikohen me dyshim dhe përçmim mes shqiptarëve. Në vitet e fundit është vënë re se shumë dendur figura të rëndësishme partiake nuk e kanë për gjë që të lëvizin nga njëri krah në tjetrin, nga njëra parti në atë kundërshtaren duke lënë të kuptohet se pasioni politik po i lë vend pragmatizmit apo cinizmit.
Qartazi pjesa më e madhe që financon këta kandidatë apo këto parti në mënyrë kaq të majme e masive e bën këtë gjë si investim duke pritur që të sigurojë në një kohë të dytë përfitim shumëfish më të madh se paratë e hedhura në fushatë. Pra kur flitet për kriminalizimin e politikës shqiptare pikërisht, një ndër momentet kur edhe bëhen ujditë më të mëdha implikuese apo si të thuash kur politikanët me vullnetin e tyre bëhen të varur e të shantazhueshëm prej kriminelëve është pikërisht nevoja për të financuar fushatën. Më pas, në mënyrë të pashmangshme, detyrohen që financimet e marra për fushatën t’i kthejnë duke ua shpërblyerve donatorëve të botës së paligjshmërisë nëpërmjet formave nga më të ndryshme të abuzimit me pushtetin. Mënyrat se si këta financues të botës së nëntokës mund të përfitojnë në këmbim të “donacioneve” të tyre janë nga më të larmishmet e variojnë nga imuniteti për veprimtaritë e tyre të paligjshme, në mbylljen e syrit për evazion fiskal apo kontrabandë e deri tek tenderë, emërime në poste kyçe apo licenca ekskluzive.
Mënyra se si financimi i partive mund të korruptojë demokracinë është identifikuar shumë kohë më parë në vende që kanë traditë më të hershme demokratike. Për të parandaluar këtë kërcënim legjislacioni i parë që rregullon financimin e fushatave i përket vitit 1867 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në dekadat e fundit, kjo temë është bërë veçanërisht shqetësuese për demokracitë e zhvilluara pasi nga njëra anë, kostot e mbajtjes së partive janë rritur dhe nga ana tjetër ka rënë niveli i anëtarësisë dhe kontributeve vullnetare. Në këtë aspekt baza ligjore përpiqet të adresojë këto tre pyetje: Sa të lira duhet të jenë partitë dhe kandidatët që të mbledhin para dhe t’i shpenzojnë ato sipas dëshirës së tyre? Sa transparent duhet të jenë këto dy procese, pra sa informacion i takon që të ketë votuesi lidhur me financimin e partive dhe kandidatëve? Deri në cilin nivel mund të përdoren burimet shtetërore për të mbështetur partitë politike?
Praktikat e vendeve të ndryshme variojnë për sa u përket rregullave të financimit. Ka vende ku janë vendosur limite qoftë për sasitë e kontributeve individuale qoftë për totalin e parave që mund të mblidhen. Në disa vende madje synohet që financimi i partive të bëhet më së shumti nga fonde publike, në mënyrë që të eliminohen konfliktet e interesit dhe ujditë që mandej do të çonin në abuzime me pushtetin. Po ashtu, një vëmendje e veçantë i kushtohet transparencës për sa u përket burimeve të financimit siç është rasti i Shqipërisë, ku kjo gjë nuk bëhet me rigorozitet. Fatkeqësisht shumica e vëmendjes publike dhe institucionale gjatë zgjedhjeve është te rregullsia e votimit dhe numërimit dhe neglizhohet gjithmonë çështja e zbatimit rigoroz të detyrimeve ligjore për transparencë të fushatës.
Duke qenë se në njëfarë mënyre, partitë kryesore e kanë pranuar infektimin e madh nga bota kriminale të politikës shqiptare atëherë duhet bërë e qartë se një ndër shkaktarët kryesorë që e mundësojnë këtë kriminalizim është pikërisht financimi i fushatave dhe partive. Sa më shumë para të pista të hidhen në fushata, aq më shumë gjasa ka që politikanët të jenë borxhlinj me botën e krimit. Prandaj një ndër mënyrat kryesore për ta pastruar Shqipërinë dhe për ta bërë në mënyrë serioze dhe të sinqertë procesin e shumëpërfolur të dekriminalizimit është pikërisht garantimi i transparencës së plotë në përputhje me ligjin të financimeve dhe shpenzimeve të fushatës. Po ashtu duhet që të mendohet seriozisht një reformë rrënjësore ligjore mbi financimin partiak, që të minimizohen sa më shumë hapësirat që politika të bëhet peng e grupeve të interesit apo kriminelëve.
Marrë nga “Shqip”, 18 korrik 2015