25 nëntor 2015 – Ambasadori i OSBE-së në Tiranë Florian Rauning, një nga kritikët më të fortë të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, dhe të pastrimit të politikës nga të inkriminuarit, ka këmbëngulur që së bashku me reformën në drejtësi të realizohet edhe dekriminalizimi i parlamentit.
“Po kuptoj se duhet të kufizohet apo të hiqet imuniteti për të luftuar me eficencë korrupsionin. Por imuniteti është vendosur, që të mbrohet personi nga ndërhyrje të jashtme dhe ndërhyrjet politike, si po shikohet balanca, pasi presioni nga jashtë vjen nga politika?”, tha Raunig.
Aurela Anastasi, eksperte e grupit të reformës në drejtësi, deklaroi se së bashku me reformën në drejtësi, do të bëhet edhe reforma e dekriminalizimit me heqjen e imunitetit për përfaqësuesit e zgjedhur politikë. “Neneve për heqjen e imunitetit të gjyqtarëve, do t’i shtohen edhe amendamentet për heqjen e imunitetit të politikanëve, e dekriminalizimin e parlamentit”, nënvizoi Anastasi.
“Do të shtohen disa dispozita të tjera meqenëse futet një amendament, dhe në një kohë të bëhen të gjitha. Po përgatitet amendamenti që është i posaçëm për dekriminalizimin. Ai do përfshijë edhe disa nene të projektit që ne kemi. Amendamenti mbi nenet e kushtetutës do të jetë për dekriminalizimin dhe janë tre ose 4 nene. Por do të ketë edhe ndërhyrje në projektin që ne kemi me qëllim dekriminalizimin. Ishte një deputet i parlamentit ai i cili deklaroi se gjyqtarëve u hiqet imuniteti, por pse jo politikanëve që ushtrojnë presion mbi ta?
Kjo ka qenë një çështje që ka qenë shqetësuese, sepse ka pasur dy rryma. Rryma e parë mbante qëndrim se “Tani u ndryshua kushtetuta dhe ta lëmë kështu siç është që edhe gjyqtarët të kenë një mbrojtje nga imuniteti, ndërsa një pjesë tjetër thanë që imuniteti a nuk duhet hequr për të gjithë edhe për politikanët? Me ndryshimet e tjera që do të përgatiten hiqet dhe imuniteti për përfaqësuesit politikë”, tha Anastasi.
Diskutimi u bë në forumin e radhës për reformën në drejtësi, që u mbajt në Universitetin e Durrësit, organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë, ku pjesëmarrja ishte e gjerë edhe nga ekspertë ndërkombëtarë të fushës së drejtësisë.
/K.H. portali DurresLajm/