Spanjë, 5 gusht 2014 – Lamtumira e Xavi Hernandez nga Spanja u komentua menjëherë dhe me dëshpërim nga trajneri Vicente del Bosque. Një pikë reference, një lojtar i jashtëzakonshëm, ishin këto disa nga vlerësimet që tekniku i spanjollëve shprehu për mesfushorin 34-vjeçar.

“Në 6 vitet e fundit, Xavi ka qënë një nga shtyllat kryesore të ekipit përfaqësues dhe meriton të vlerësohet qoftë në aspektin personal, qoftë në atë profesional”.

Kualitetet dhe vizioni i Xavit i shërbyen Spanjës drejt sukseseve më të mëdha që e ngjitën në majën e botës, konkretisht në 2008-ën kur La Roja u shpall kampione Europe, në 2010-ën kur fitoi për herë të parë një Botëror, si dhe në 2012-ën, kur mbrojti titullin në Europian.

“Kemi humbur një lojtar unik dhe për ne do të jetë shumë i vështirë zëvendësimi i tij. Kam vetëm mirënjohje dhe vlerësim pa fund për këtë futbollist fantastik. Do ta ndiejmë mungesën e tij në fushë dhe jashtë saj”.

Në fund, Del Bosque pohoi se të gjithë duhet të jenë dakord se një lojtar i tillë është shumë më i rëndësishëm edhe se vetë ai si trajner, ndërkohë që theksoi se Xavi Hernandez do të mbetet i respektuar nga Federata, stafi teknik dhe nga kushdo te kombëtarja spanjolle.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/