Artan Cuku nuk ka qëlluar me armë për t’u vetëmbrojtur. Ekspertiza ka zbuluar se ish-drejtorit të policisë së Vlorës nuk i janë gjetur gjurmë baruti. Ky rezultat ka shtuar dyshimet se kanë qenë dy persona të cilët kanë qëlluar ndaj Cukut.
Hetuesit tashmë janë në kërkim të dy personave që mund të kenë qëlluar ndaj ish- zyrtarit të policisë. Dyshohet se personi i parë nuk ka qëlluar në shenjë dhe komisari mund të jetë përleshur me të. Për këtë arsye është afruar atentatori i dytë, i cili gjithashtu ka qëlluar në drejtim të Artan Cukut.
Sipas raportit mjeko-ligjor në trupin e ish-drejtorit të policisë së Vlorës janë gjetur 4 plumba, 3 në trup dhe 1 në kokë. Edhe dëshmitë që kanë dhënë në polici të afërmit e Cukut, se ai nuk mbante armë, apo që kanë parë dy persona poshtë pallatit, kanë konfirmuar tashmë se kanë qenë dy atentatorë që kanë qëlluar në drejtim të ish-komisarit.
Bashkëshortja e Artan Cukut, e marrë në pyetje për këtë ngjarje nuk ka qënë në gjëndje të jepte një përshkrim të njërit prej autorëve që ajo kishte parë, teksa qëndronte në hollin e pallatit, aty ku ai i kishte zënë pritë burrit të saj.
Ajo u ka thënë efektivave të policisë së Tiranës se bashkëshorti kishte kohë që nuk mbante pistoletë me vete.





