Gazetari i kronikës, Artan Hoxha ka publikuar në emisionin “Opinion” një foto të ish-kryeministrit Arben Ahmetaj, ku pretendon se ai ndodhet në pikën kufitare të Kakavijës.
Hoxha pretendon se fotoja është bërë rreth mesditës së të premtes kur Arben Ahmetaj është larguar drejt shtetit të Greqisë. Gazetari tha se Ahmetaj ka qenë i vetëm në makinë në momentin kur ka ikur drejt Greqisë.
“Ditën e premte, kjo është dogana e Kakavijës dhe ditën e premte, Ahmetaj ka kaluar në Greqi, kjo duhet të jetë diku rreth orës 14:00 në mesditë. Ka qenë vetëm në makinë. Ai nuk ka qenë i ndaluar të lëvizë. Ajo që bën çudi se hetimi ka nisur që vjet në Nëntor, gjatë kësaj kohe, Ahmetaj ka lëvizuar dhe nuk i është shmangur hetimit. Në momentin kur ka dalë lajmi, nuk ka qenë në territorin e Shqipërisë, mund të vijë sepse i lirë është, por aty është duke vulosur pasaportën në Kakavijë. Gjatë kësaj kohe Ahmetaj ka hyrë dhe ka dalë nga vendi pa asnjë lloj problemi pavarësisht hetimit”, tha gazetari.
Kujtojmë se dje SPAK i dërgoi kërkesë Kuvendit për arrestimin e Arben Ahmetajt dhe ditën e sotme pritet të mblidhet Këshilli i Mandateve për të vendosur për të.