Mund të duket një shpikje, duke parë se jetojmë në epokën e rrjeteve sociale ku çdo njeri mund të postojë çfarë të dojë në internet, por është gjithçka e vërtetë. Sosha Makani, portieri 29-vjeçar iranian i FC Persepolis, klubi numri një i vendit të tij, me 9 tituj kampionë, ka përfunduar në burg sepse ka postuar në Instagram një fotografi me dy femra. Në foton e “inkriminuar”, futbollisti shfaqet duke i hedhur krahët dy vajzave që nuk kanë vello, por në Iran nuk është e lejueshme që të përhapen imazhe të këtij lloji.

Makani, i cili ka marrë pjesë në Botërorin e 2014-ës me kombëtaren e tij, mësohet të ketë shkelur nenin 17-të të ligjit iranian në lidhje me krimet informatike, sipas së cilit “çdo person që publikon fotografi ose video të personave të tjerë nëpërmjet internetit pa miratimin e tyre, duke i dëmtuar ose diskriminuar” rrezikon nga 91 ditë deri në dy vite burgim (një ndëshkim ky që mund të konvertohet në një gjobë që shkon nga 155 deri në 1230 euro).

Ndërkohë, avokati i Makanit ka bërë të ditur se: “Fotografitë janë një montazh dhe nuk kanë lidhje me klientin tim. Llogaria e tij në Instagram dhe telefoni janë përdorur nga dikush tjetër”.  Në fund, klubi i lojtarit e komentuar me këto fjalë ngjarjen: “Shpresojmë që të jetë një keqkuptim. Do të bëjmë gjithçka është e mundur për ta kthyer Soshan në ekip, por duhet të respektojmë vendimin e magjistraturës”.

Sipas një eksperti ligjor të organizatës “Fushatë ndërkombëtare për të drejtat njerëzore në Iran”, arrestimi i lojtarit është një shkelje ligjore sepse hetimi nuk është mbyllur akoma.