Del në pension arkivisti dhe fotografi i mirënjohur i teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, Luan Jaupi.
Shumëkush që e njeh Luan Jaupin, punonjësin e arkivit të teatrit “Aleksandër Moisiu” e mban mend gjithnjë me një aparat fotografik në dorë, gjithmonë i gatshëm për të fiksuar në celuloid momente të rëndësishme nga jeta artistike e jo vetëm, e qytetit të Durrësit.
Kryebashkiakja e Durrësit Valbona Sako, ka vlerësuar punën plot përkushtim të Jaupit, të cilin e ka pritur në një takim në Bashki me rastin e daljes në pension. Sako i uron pension të mbarë durrsakut dhe qytetarit të mirë, i cili për shumë vite, pasuroi arkivin e teatrit dhe fiksoi në foto, evente dhe personazhe të paharruar duke dhënë kontributin e tij në trashëgiminë kulturore të qytetit.
Në një intervistë të mëhershme dhënë për “DurrësLajm”, Luan Jaupi tregonte se si lindi pasioni dhe dëshira për t’ia dedikuar jetën e tij, fotografisë.
Pasioni i vjetër, fotografia
Ndërsa pullat e postës nisi t’i koleksiononte që i vogël për t’u krenuar para shokëve, lidhja e tij e fortë me profesionin e fotografit do të lindte pas kthimit të të atit nga një udhëtim në Bashkimin Sovjetik. I ati i Luanit, ishte kapiten anijeje dhe në një nga udhëtimet e gjata që kryente i solli të birit si dhuratë një aparat fotografik. Babait të tij ndoshta nuk do t’i shkonte në mendje se me këtë dhuratë ai do të vendoste përfundimisht profesionin e të birit në jetë.
“Në atë kohë im atë kishte ardhur nga Bashkimi Sovjetik dhe kishte sjellë me vete një aparat fotografik, me të cilin fillova të merresha që i vogël. Ky pasion më ka shoqëruar deri më sot kur unë vazhdoj ta ushtroj ende këtë profesion”, rrëfen Luani. Që nga mosha 7 vjeç, ai nuk është ndarë më nga aparati. Në koleksionin e tij janë përfshirë një numër i madh aparatësh fotografikë (plot 43 të tillë) të markave të ndryshme si “Pentagon”, “Pentaks”, “Nikon”, “Agfa” etj. Ndërkohë, krahas fotove që u ka shkrepur vetë gjatë viteve personaliteteve të të gjitha fushave, që kanë vizituar Durrësin, ai ruan shumë pamje të vjetra të Durrësit, foto të cilat janë një dokumentacion i pasur historik për çdo studiues shkencor.
Luani ruan rreth 108 të tilla, të papërsëritshme në llojin e tyre, pasi aty ka nga shkrepjet e Marubit të madh e deri tek ato të udhëtarëve italianë, austriakë, anglezë, gjermanë etj. Ai zotëron gjithashtu edhe një sasi të madhe filmash ende të pazhvilluar me pamje të Durrësit si dhe të vendeve të tjera.
Duke parë pasionin e madh të të birit për të koleksionuar objekte të ndryshme i ati i tij nuk nguroi të kontribuonte për ta pasuruar koleksionin me gjëra të rralla. Ai i solli nga udhëtimet e tij të gjata një numër të madh koralesh të rralla, të cilat të shoqërojnë ngado në dhomën e kthyer në mini-muze.