15-vjeçari E.B. nga Durrësi, i cili u plagos me thikë nga një 14-vjeçar pak ditë më parë ka dalë nga intubimi.

Mjeku kirurg, Fitim Shini, i cili e operoi adoleshentin dhe e ka ndjekur hap pas hapi ecurinë e progresit të gjendjes shëndetësore të tij konfirmon se 15-vjeçari është më mirë.

I plagosuri do të mbahet nën monitorim në orët në vazhdim për të parë ecurinë e reagimit të tij.

Ai u plagos nga 14-vjeçari M.K. me 2 thika në zemër dhe luftoi për ditë me radhë me jetën. Dy adoleshentët janë nxënës të gjimnazit “Dom Nikollë Kaçorri”, në zonën e ish-Kënetës.

Sherri mes adoleshentëve nisi për një koment në rrjetet sociale dhe u zhvillua jashtë ambienteve të shkollës.

Ndërkohë 14-vjeçari u arrestua nga policia dhe aktualisht ndodhet në burgun e të miturve, sepse gjykata e Durrësit la në fuqi masën e sigurisë “Arrest me burg”.