TIRANË – Treni i pasagjerëve i linjës Tiranë-Shkodër ka dalë nga shinat, por fatmirësisht nuk raportohet për të plagosur. 

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të stacionit të Ishmit. Nga kqyrja në vendin e ngjarjes rezultoi se traversat prej druri në këtë zonë janë tërësisht të kalbura. Ekspertët thonë se amortizimi i hekurudhës ka sjellë dhe aksidentin e sotëm.

Pas daljes nga shinat të treni, pasagjerët kanë zbritur të alarmuar, por fatmirësisht asnjë prej tyre nuk ishte plagosur.

Prej vitesh hekurudha vuan mungesën e investimeve, ndërkohë që ky lloj transporti është braktisur në masë të madhe nga udhëtarët. Kushtet mjaft të këqia që ofrojnë trenat ekzistues, shpejtësia e ulët me të cilën udhëtohet dhe konkurenca e fortë nga autobuzët dhe furgonët e linjave interurbane thuajse po e çojnë drejt kolapsit këtë sektor.