30 mijë maturantë kryen sot provimin e dytë të Maturës Shtetërore, atë të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë.
Provimi u zhvillua në ambiente të hapura, në korridoret dhe palestrat e shkollave. Rregullat e reja të vendosura nga ministria e arsimit, përfshijnë dhe kamerat e sigurisë që do të ndjekin çdo provim, për të shmangur çdo parregullsi.
Megjithatë edhe në këtë provim, teza e provimit doli 20 minuta pas nisjes së tij.
Ministrja e Arsimit në një deklaratë për mediat u shpreh se ka nisur puna për identifikimin e personit që ka publikuar çdo herë tezën. Ministrja mohoi që dalja e tezës të ketë cenuar procesin e provimit.
“Garantojmë që nuk ka asnjë element që të dyshojmë që teza të zgjidhura jashtë kanë hyrë brenda dhe kanë favorizuar një apo dy maturantë, për këtë ne japim garanci. Nuk na vjen mirë që del testi.
Dyshimi ynë është që ka njerëz që janë të investuar posaçërisht për këtë qëllim, sepse janë gjithnjë të njëjtët që nxjerrin testin dhe nuk bashkëpunojmë me ne për të identifikuar personat që kanë shkelur rregulloren”, tha Kushi.
Provimi i radhës për maturantët është ai i Matematikës, më datë 13 qershor, si dhe provimi I lëndës me zgjedhje me datë 19.