DURRËS, 17 tetor 2014 –  Të premten paradite, më 17 tetor 2014, një delegacion i ndërmarrjes publike të Infrastrukturës së Hekurudhës së Maqedonisë, i kryesuar nga drejtori shqiptar z. Irfan Asani, bisedoi shtruar me administratorin e përgjithshëm të Hekurudhës Shqiptare (HSH) sha, me seli në Durrës z. Genc Alizoti; zëvendësadministratorin z. Leonidhë Gjermeni; drejtorin e infrastrukturës Ed Dobi; këshilltarin e administratorit, ish-drejtori i përgjithshëm i HSH-së që PD-ja e la 5 vjet pa punë, z. Leonard Jani.

Takimin e kishte kërkuar pala maqedonase për të themeluar një grup pune të përbashkët për lidhjen hekurudhore Kërçovë (Maqedoni)-Lin (Shqipëri) dhe për shkëmbim përvoje, në kuadër të realizimit të Korridorit VIII.

Në prani të medieve u fol për suksese nga të dy palët.

Realisht, Maqedonia është shumë-shumë më lart dhe kjo shprehej nga një oratori dhe shqipe të mrekullueshme nga z. Asani.

Me largimin e gazetarëve dhe kameramanëve, janë qarë hallet.

Ndërsa Maqedonia është ndihmuar dukshëm nga BE-ja, Shqipëria është lënë në baltë nga Brukseli.

Funksionarë nga drejtoria e përgjithshme e HSH sha i shprehën në konfidencë “Dyrrah”-ut pakënaqësinë që qeveritë ortodokse të Shkupit dhe Athinës, ndonëse kanë fërkime të mëdha politike, bashkëpunojnë për të shmangur boshtin hekurudhor Kërçovë-Lin-Durrës, duke ndikuar deri në BE për të mos financuar përmirësimin e linjës ekzistues Lin-Durrës mbi 117 km të gjatë.

Një të tillë brengosje kanë dhe përfaqësuesit shqiptarë në institucionet publike maqedonase.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/