Një delegacion me ushtarakë shqiptarë si dhe të huaj të KFOR-it ka vizituar të mërkurën pasdite portin e Durrësit.

Delegacioni u prit nga zv/Drejtori Ekzekutiv, Petrit Çerçizi, i cili u uroi mirëseardhjen pjesëtarëve të tij, si dhe nënvizoi rëndësinë që kanë takime të tilla.

Gjatë takimit, në një nga sallat e Drejtorisë Ekzekutive të APD, grupi prej 7 drejtuesish dhe specialistësh ushtarakë u informua nga specialistët e sektorit të Promocionit dhë të Sigurisë portuale mbi kapacitetet dhe mënyrën e funksionimit të portit më të madh të vendit.

Specialistët portualë kanë bërë të njohur edhe projektet që kanë nisur të zbatohen në hapësirën portuale.  Grupi i ushtarakëve   vizitoi gjithashtu Terminalin Perëndimor dhe sallën operative të FSPD-se ku u njohën nga afër me standartet që zbatohen në APD. Kohët e fundit porti i Durrësit është vizituar nga disa delegacione të NATO-s dhe KFOR-it.